VIDEO – FOTOGALERI Sezoni turistik/ Mbërrin çarteri i parë me 189 turistë nga Bjellorusia

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Rreth 189 turistë mbërritën pasditen e së premtes nga Minsku, kryeqyteti i Bjellorusisë në aeroportin e Rinasit, të cilët kanë zgjedhur si destinacionin e tyre veror vendin tonë për të shijuar plazhet e mrekullueshme të Shqipërisë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mbajti një ceremoni për të festuar fluturimin e parë çarter në vend, pas lehtësimit të kufizimeve si pasojë e pandemisë COVID-19.

I pranishëm për të mirëpritur 189 turistët nga Bjellorusia në aeroportin e Rinasit ishte dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

“Pata kënaqësinë e madhe të dhuroja një buqetë me 189 lule pasi janë pasagjerët e parë që erdhën sot në Shqipëri duke mbushur plotpërplot çarterin e parë, i cili jo vetëm erdhi në Shqipëri si çarteri i parë turistik, po sipas informacioneve që në kemi mbase është charteri i parë turistik në Europë. Edhe shumë mirë që e filluam nga Shqipëria këtë aktivitet rajonal, këtë aktivitet europian duke i dhënë shumë entuziazëm sektorit turistik në Shqipëri”, u shpreh Klosi.

Ai shtoi se, “është një punë e madhe që kemi bërë në gjithë këto 2 muajt e pandemisë për të krijuar atmosferën për të pritur më shumë turistë në Shqipëri, për të krijuar strukturat akomoduese, për të krijuar rregullat e menaxhimit të virusit që akoma nuk është larguar nga Shqipëria, që edhe këto fjalë mirëseardhjeje për stafin, për organizatorët, për ALER Group që arriti të sjellë grupin e parë të turistëve nga Bjellorusia e më pas nga Ukraina e të shpresojmë shumë nga Polonia e nga vende të tjera të vendeve balltike për të pasur një sezon të qëndrueshëm në Shqipëri”.

“E gjitha kjo është falë punës së madhe që bënë qytetarët shqiptarë për të menaxhuar situatën e koronavirusit dhe po ashtu forcës së madhe që ka sistemi shëndetësor shqiptar që garanton se mundet ta përballojë një situatë edhe në rastet që kemi nëse do të kemi problematika të caktuara”, tha Klosi.

“Prandaj duke ju uruar mirëseardhjen turistëve të parë e duke shpresuar që do të jetë një sezon mbijetese me një numër të konsiderueshëm turistësh vendas e të huaj në Shqipëri. Falenderoj organizatorët, falenderoj padyshim kompaninë që pranoi që të çonte 3 çartera në javë në Shqipëri në mënyrë të shpejtë, por dhe t’u kërkoj atyre që bëjnë menaxhimin që të kenë shumë kujdes për të ruajtur distancimin social dhe për të qenë gjatë gjithë kohës pranë strukturave shtetërore, të cilat do të bëjnë gjithë kujdesin e duhur për shëndetësinë për higjienën”, përfundoi Klosi.

Çarteri turistik erdhi me kompaninë “Belavia”, linja ajrore kombëtare e Bjellorusisë. Agjencia Telegrafike Shqiptare ndoqi nga afër momentin e mbërritjes së turistëve në Tiranë.

“Ne po i rindezim motorët e industrisë së turizmit sot me këtë lajm të mrekullueshëm të 198 turistëve që vijnë nga Bjellorusia me Belavia Airlines. Në emër të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ju uroj mirëseardhjen e ngrohtë atyre dhe shumë turistëve të tjerë që janë duke u përgatitur të vijnë e të vizitojnë Shqipërinë”, u shpreh Constantin von  Alvensleben, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i Tirana International Airport.

Fluturimi i planifikuar çarter do të funksionojë gjatë gjithë verës me një avion Boing 737-800, dy herë në javë, të martën dhe të premten.

Aegean Airlines, transportuesi flamurmbajtës i Greqisë si dhe Austrian Airlines kanë njoftuar se fluturimet e para përkatësisht nga Athina dhe Vjena drejt Tiranës do të fillojnë në 15 qershor 2020.

Që nga mesi i marsit, kur COVID-19 kulmoi, trafiku i pasagjerëve në TIA është zvogëluar shumë, ndërsa aeroporti mbetet i hapur për fluturimet humanitare dhe riatdhesimet, nga të cilat ka të paktën një në ditë. Krahas saj, TIA ka një ose dy fluturime mallrash çdo ditë. z.tosku/a.a/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.