Punohet për 2 shkolla 9-vjeçare në Vorë/ Standarde europiane mbi rrënojat e ngrehinave të degraduara që shkatërroi tërmeti


TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Marikaj, Vorë, ku ka nisur puna për ndërtimin e dy shkollave nëntëvjeçare, pas shkatërrimit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Rama tha se vazhdon çelja e kantiereve të Rindërtimit nga themelet të 129 shkollave, të cilat do të rilindin me standarde arkitektonike e arsimore shembullore, në përputhje me standardet europiane, mbi rrënojat e ngrehinave të shëmtuara e të degraduara që shkatërroi tërmeti.

Ai tha se “së shpejti do të nisë edhe kantieri i rindërtimit të lagjes së re në qendër të Vorës”.

Kryeministri kërkoi që shkolla në Marikaj të përfundojë në 26 nëntor dhe punimet të kryhen me cilësi, në mënyrë që në 27 nëntor në mëngjes, një vit pas tërmetit të tmerrshëm, duhet të sjellim fëmijët këtu.

Shkolla në Marikaj po ndërtohet sipas të gjitha standardeve të shkollave të BE-së. Ajo ka një kapacitet për rreth 250 nxënës, bashkë me sistemin parashkollor i cili është me hyrje më vete në të njëjtën godinë.

Shkolla ka palestra, fusha sporti, laboratorë, një auditor për rreth 100 veta, duke plotësuar kështu 100% standardet për sa i takon numrit të nxënësve për metër katror dhe të klasave me 24 nxënës. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.