Protesta e maturantëve/ Shahini: Nxitësit janë opozita politike e provimeve false, do të kallëzojmë çdo shpifje

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, reagoi sot lidhur me protestën e maturantëve, duke theksuar se nxitësit e protestës janë opozita e vendit dhe se ministria do të kallëzojë çdo shpifje që opozita ka publikuar në lidhje me maturën sivjet.

“Ndoqa me keqardhje protestën pranë ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nuk besoj të ketë ndodhur ndokund tjetër që nxënësit të protestojnë për “provimet e vështira”. Megjithatë, keqardhja për nxënësit “protestues” më vjen bashkë me revoltën ndaj nxitësve të tyre. Fatkeqësisht, nxitësit janë publikisht të afishuar dhe nuk janë zëdhënës opinionesh dosido. Ata janë opozita politike e vendit! Që është një absurditet unik: opozita nxit dhe mbështet protestë kundër testeve kombëtare!!! Opozita stimulon “lehtësimin” e dhënies së notave për nxënësit!!! Po mbase këtu s’ka asgjë të re, përderisa kjo opozitë ishte dje qeveria e notave false, diplomave false, universiteteve false, provimeve false, promovimeve false”, – theksoi Shahini.

Ministrja u shpreh se “provimet kombëtare hartohen nga ekspertë provimesh. Unë i besoj Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) kur thotë se sivjet provimet janë më të lehta se kurdoherë më parë, sepse ndodhin pas një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe prandaj janë konceptuar vetëm me alternativa – pa temat, që janë zhvilluar në kushte shtëpie. Dhe kjo, vërtetohet lehtësisht në fund, kur të mblidhen të gjitha rezultatet dhe nëse rastis që testi të ketë qenë më i vështirë sesa njohuritë e nxënësve, atëherë QSHA bën rishpërndarje të peshës së pikëve për çdo notë. Por, këto çështje teknike s’kanë as lidhje e as vend për debate politike, dhe jo më për protesta opozitare”.

Sipas saj, QSHA ka adresuar kërkesat në lidhje me provimet e Maturës që ishin protokolluar në Ministri.

“Ndërkohë, ne do të kallëzojmë çdo shpifje që opozita ka publikuar në lidhje me Maturën sivjet. Besoj se edhe kjo do të shërbejë në edukimin e të rinjve, duke nisur nga të rinjtë e forumeve politike, për të mësuar se shpifja është gënjeshtër e dënueshme me ligj e jo liri fjale për çfarëdo kundërshtie qytetare apo opozitare”, – tha ministrja Shahini./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.