Meta: Vendimi për Dvoranin i vonuar, mezi pres të dekretoj marrëveshjen për Reformën Zgjedhore

TIRANË, 12 qershor/ATSH-Gjergji Mima/ Presidenti Ilir Meta tha sot në konferencën e përjavshme me gazetarët, se ai e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore dhe zbatimi i saj është i rëndësishëm.

I pyetur për qëndrimin e opozitës parlamentare ndaj marrëveshjes, Meta tha se nuk është  çështje e tij si President.

“Mesazhet i kam dhënë në kohë, e kam përshëndetur këtë marrëveshje, jo më shumë për përmbajtjen e saj, megjithëse ka elementë mjaft të rëndësishëm që forcojë ndjeshëm integritetin e zgjedhjeve, sikurse është futja e elementit biometrik në mënyrë që të garantohemi që çdo qytetar shqiptar voton vetëm një herë dhe vota është barabartë”, tha Meta, duke shtuar se “kjo marrëveshje e sforcuar, që duhet të ishte arritur prej kohësh,  mund të kishte bërë një progres shumë thelbësor në shumë aspekte, që të jepte një dimension tjetër të gjithë sistemit politik në vend”.

“Mos harrojmë në vitin 2008-ën unë dhe disa kolegë të tjerë ish-deputetë bëmë grevë urie që të mos mbylleshin listat dhe të mos bëheshin ndryshimet kushtetuese të cilat cenuan parimet e balancës dhe kontrollit në vend”, tha Meta.

Por, sipas tij, të gjitha këto nuk janë shumë të rëndësishme para vendosjes sa më shpejt të legjitimitetit, pasi Kuvendit sot e kësaj dite i mungojnë 18 deputetë në kundërshtim me kërkesën e qartë që ka Kushtetuta.

“Besoj që kjo është arsyeja kryesore që detyrohet edhe Sekretari Amerikan i Shtetit që ka kaq shumë probleme të tjera në të gjithë botën që të theksojë rëndësinë e kësaj marrëveshje ndërpartiake dhe rëndësinë e kodifikimit të saj për të forcuar demokracinë”, tha Meta.

“Të mos harrojmë që kjo marrëveshje është meritë e veçantë e angazhimit dhe përpjekjeve në nivelet më të larta të partnerëve tanë. Është vlerësuar nga nivele shumë të larta ndërkombëtare për atë që do të meritonte realisht thelbi i një marrëveshjeje të tillë, që duhet të ishte një marrëveshje e bërë si xhentëlmenët sepse për çfarëdo merremi vesh që t’i japim mundësi njerëzve të zgjedhin alternativën më të mirë në mënyrën më demokratike. Kështu që unë mezi po pres që ajo të vijë këtu dhe unë ta firmos menjëherë”, u shpreh Meta.

Meta e konsideroi si vendim pozitiv, por të vonuar vendimin e KLGJ për mbarimin e mandatit nga Gjykata e Lartë njëkohësisht dhe nga KED të Ardian Dvoranit.

“Mendoj se qëndrimi i Presidentit ka qenë dhe mbetet gjithmonë qëndrimi i Kushtetutës dhe ligjit që kanë qenë shumë të qarta që në momentin e dekretimit të anëtarit të parë të Gjykatës së Lartë. Vendimi i djeshëm në vlerësimin tim është i vonuar, por sidoqoftë është pozitiv. Dhe krijon mundësi për të ruajtur integritetin e institucioneve të reja të drejtësisë”, tha Meta.

Ndërkaq, presidenti Ilir Meta deklaroi sot se do t’i paraqesë Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian sugjerimet konkrete për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Dihet që këto javë janë me rëndësi për negociatat. KE do të prezantojë kuadrin negociator dhe një raport për zbatimin e kushteve nga ana e Shqipërisë. Në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian unë si President paraqita disa vlerësime dhe sugjerime për mënyrën sesi si duhet zhvillohet ky proces. Nënvizoj se së pari duhet një ndërveprim i strukturuar dhe bashkëpunim gjithëpërfshirës në mënyrë që kushtet të mos mbeten të papërmbushuara dhe që çelja e negociatave të mos mbetet në vendnumëro”, u shpreh Meta.

Presidenca i paraqet Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian komentet e plota me sugjerime konkrete mbi planin e veprimit të hartuar nga MEPJ.

Meta theksoi se, “zbatimi i 15 kushteve dhe i detyrimeve të marrëveshjes së stabilizim-asociimit janë mënyra e vetme për të bërë përparim të besueshëm siç e përcakton edhe metodologjia e re e BE”.

Në lidhje me kreun e ri të KLSH-së, Meta tha se do t’i qëndrojë në mënyrë të hekurt detyrimit që i jep Kushtetuta presidentit dhe në këtë aspekt “unë vlerësoj edhe shumë kandidatë nga ana profesionale, të cilët mund të jenë anëtarë të mazhorancës aktuale apo të administratës aktuale, që kanë shprehur dëshirën e tyre për këtë post”.

Presidenti Meta gjithashtu uroi socialistët për 29-vjetorin e themelimit të PS-së. “Uroj të gjithë socialistët për këtë ditë të rëndësishme për ta, dhe t’i vlerësoj për ato gjëra pozitive që kanë bërë në historinë e demokracisë, të zhvillimit të saj dhe shpresoj që të jetë një ditë reflektimi edhe për ata që drejtojnë sot dhe për të gjithë të tjerët” tha ai.

Një urim Meta e kishte edhe për Lulzim Bashën, që po ditën e sotme mbush 46-vjeç, ndërsa zbuloi edhe dhuratën që i kishte nisur. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.