Kadare fitues i ”Prozart 2020” në festivalin ”Pro-Za Ballkan”

SHKUP, 12 qershor /ATSH-MIA/ – Çmimin ”Prozart” të cilin Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “PRO-ZA Ballkan” ia jep një autori të shquar për kontributin në zhvillimin e letërsisë së Ballkanit, këtë vit i takoi shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, për opusin e tij impozant shumëvjeçar romanesk dhe eseistik, i cili rregullisht shkakton jehonë të madhe tek kritika europiane dhe botërore.

Për shkak të pamundësisë që festivali të mbahej në fund të majit, Kadare e mori çmimin që përbëhet nga statuja dhe vlerësimi financiar, në shtëpinë e tij në Paris.

Në krijimtarinë prozaike të Kadaresë ndërthuren e kaluara dhe bashkëkohorja, miti dhe ironia, individualja dhe kolektivja, të bartura në idiomë shumë specifike, karakteristike, stilistike dhe gjuhësore, që e veçojnë veprën e tij në grupin e kolosëve bashkëkohorë botërorë të letërsisë.

“Me respekt të madh ia ndajmë çmimin ‘Prozart’ shkrimtarit i cili i shënoi gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe fillimin e shekullit të ri me realizimet e tij letrare provokuese dhe kompakte”, thuhet në arsyetimin e këshillit për ndarjen e çmimit “Prozart”.

Këshillin e çmimit e përbëjnë Ermis Llafazanovski – kryetar, Aleksandar Prokopiev dhe Dejan Trajkovski – anëtarë.

“I papërmbajtshëm ndaj ndershmërisë së shkrimtarit, por edhe qëndrimit intelektual me kapacitet imagjinar të pashtershëm, Kadare vazhdimisht gjatë gjysmë shekulli krijimtari i befason njohësit e letërsisë me përpunimin e lartë letrar në tema në të cilat bashkëveprojnë lokalja dhe universalja.

Kadare shprehu falënderim për mirënjohjen dhe trishtimin për pamundësinë për ta pranuar çmimin personalisht.

“U pikëllova që nuk do të mund ta pranoj ftesën e festivalit që personalisht ta marr çmimin të cilin ma dhuruat me dashamirësi, por për shkak të pandemisë momentale, shpresoj se mjafton kjo letër falënderimi nga largësia”, shkruan Kadare në letrën e tij, shkruar për këtë rast.

”Ndoshta, megjithatë, vetëm lexuesit e Ballkanit janë ata që mund të vlerësojnë më së miri se si veprat e mia komunikojnë me çështje të identitetit rajonal, si historinë, topografinë dhe të ngjashme. Ndoshta, gjithashtu, një lexues shqiptar apo një lexues kinez do të ndjente një lidhje të caktuar me romanin tim ‘Koncerti’, i cili, mes tjerash, hulumton ftohjen e befasishme të marrëdhënieve kineze-shqiptare, diçka që një lexues australian apo argjentinas nuk mund ta ndjejnë në atë mënyrë, e njëkohësisht ai lexues shqiptar apo kinez ndoshta nuk do ta mbajnë mend periudhën në të cilën ndodhën ngjarjet apo madje as nuk kanë qenë të lindur në atë kohë. E them tërë këtë për të theksuar se çmimi që e madhëron letërsinë e Ballkanit është veçanërisht mirënjohje e mirëseardhur nga krijues të shquar letrarë dhe jam krenar që mund ta jap kontributin tim”, tha Kadare./ sara/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.