ITALI -Që prej 16 qershorit, qytetarët italianë do të mund të udhëtojnë edhe drejt Shqipërisë

ROMË, 12 qershor /ATSH/ – Duke filluar nga 16 qershori qytetarët italianë do të mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë, njoftoi sot gazeta italiane ”La Repubblica”, që shton se në këtë listë janë edhe Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

”Udhëtimet jashtë zonës Schengen janë ndaluar deri më 30 qershor, përveç atyre për arsye pune, shëndetësore ose domosdoshmërie. Italianët do të jenë në gjendje të udhëtojnë vetëm në vendet e BE-së, në Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut, Andorra, Monako, Republika e San Marinos, Vatikan dhe, duke filluar nga e marta 16 qershor, edhe për në Shqipëri, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Mali i Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbia”, shkruan ”La Repubblica”.

Italia do të fillojë të hënën e ardhshme një fazë tjetër të lehtësimit të masave kufizuese, pas nënshkrimit nga ana e kryeministri Giuseppe Conte të dekretit përkatës.

Sipas këtij dekreti, sportet e kontakteve mes amatorëve, do të lejohen duke filluar nga 25 qershori. Kjo përfshin sportet në ekipe dhe pjesë të futbollit apo basketbollit mes miqsh.

Kinematë do të rihapen më 15 qershor. Diskotekat në mjedise të hapura apo në vende të mbyllura do të mund të hapen duke nisur nga 14 korriku.

Dekreti konfirmon, përveç të tjerave, karantinën e detyrueshme për të gjithë vizitorët që hyjnë në Itali dhe që vijnë nga një vend tjetër, përveç hapësirës Schengen./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.