Dita e Çlirimit të Kosovës/ Shahini: Të përkujtojmë me përulësi se sa e brishtë është liria dhe sa shumë duhet të përpiqemi ta mirëmbajmë

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, përcolli masazhin për ditën e Çlirimit të Kosovës, plot 21 vite më parë.

“Sot e 21 vite më parë, isha refugjate në Kanada kur mora lajmin që kishin pushuar bombardimet e NATO-s dhe trupat këmbësore ishin futur në Kosovë. Kosova ishte çliruar. Si fëmijë që kishte parë vetëm konflikt dhe luftë, e kisha të vështirë ta paramendoja paqen dhe lirinë në Kosovë dhe gjithë potencialin që ngërthente ajo liri për popullin tonë. Sot, jo vetëm kam mbijetuar luftën 21 vite më parë, por jam duke shërbyer në qeverinë e Republikës së Shqipërisë, si shenjë e qëndresës dhe bashkimit tonë kombëtar”, shprehet Shahini.

Por, vijon ajo, kjo liri që gëzojmë sot, qëndron mbi mijëra jetë të humbura e shumë e shumë të tjera të shkatërruara.

“Ndaj, mos të harrojmë kurrë falë kujt po e gëzojmë këtë ditë dhe të përkujtojmë me përulësi se sa e brishtë është liria dhe sa shumë duhet të përpiqemi ta mirëmbajmë dhe gëzojmë atë, duke dashur njëri-tjetrin dhe duke bërë çdo ditë nga pak që të lëmë një vend më të mirë për fëmijët tanë”, tha Shahini./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.