Delvinë/ Rehabilitimi i rrugës së Kalasës, zhvillim turizmit dhe ekonomisë së zonës

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Rehabilitimi i rrugës së Kalasës në Delvinë do të sigurojë akses më të shpejtë pranë resurseve të pasura natyrore që ofron kjo zonë, që e bëjnë një destinacion të shkëlqyer turistik në çdo kohë të vitit.

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj dhe deputeti socialist në këtë zonë Alket Hyseni zhvilluan një takim me banorët për të diskutuar lidhur me ndërtimin e kësaj rruge.

Sipas deputetit Hyseni, rehabilitimi i kësaj rruge tejet të amortizuar do të përmirësojë cilësinë e jetesës për banorët e fshatrave Kalasë dhe Tatzat.

“Takim spontan me banorë të Kalasës, gjatë inspektimit të punimeve për rehabilitimin e rrugës tejet të amortizuar. Së bashku me Majlindën dhe Flamurin, përfaqësues të kompanisë së ndërtimit dhe banorët diskutuam për të siguruar financimin e mëtejshëm dhe përmirësimin e cilësisë së kësaj rruge, kaq shumë e rëndësishme për jetesën e fshatrave Kalasë dhe Tatzat”, tha Hyseni.

Turizmi rural në zonën e Delvinës po merr zhvillim dhe një karakter më të organizuar, ndërkohë që kjo zonë përbën një ofertë të pasur për kombinimin e agroturizmit me turzimin kulturor.

Kalasa me burimin e lumit në Tatzat ofron gjelbërim të pakrahasueshëm dhe shijen fantastike të gatimeve tradicionale, duke u shndërruar në destinacion të rëndësishëm të turizmit.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.