TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 33 të prekur nga COVID-19, duke e çuar në 1034 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Dr. Eugena Tomini nga Insituti i Shëndetit Publik tha sot në komunikimin e përditshëm se “lajmi i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të prekurve nga COVID-19. Janë shëruar 33 qytetarë”.
“Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 19 862 testime gjithsej dhe janë konfirmuar pozitivë 1416 raste”, – tha Tomini.
Tomini tha se “pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një pacient nuk e ka fituar dot betejën me Covid19. Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 71-vjeçar nga Durrësi, i shtruar prej më shumë se dy javësh”.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 300 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19 nga të cilat janë konfirmuar 31 raste pozitive, pjesa më e madhe kontakte familjare të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka disa raste të reja në proces hetimi në Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë.
/k.s/j.p/r.e/