21-vjetori i çlirimit të Kosovës/ Hoti: Gjithnjë falënderues për partnerët tanë ndërkombëtarë 

PRISHTINE, 12 qershor /ATSH/ -Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e nisi ditën e sotme duke bërë homazhe për nder të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

I shoqëruar nga kabineti i tij qeveritar fillimisht bëri homazhe tek shtatorja e ish presidentit, Ibrahim Rugova e më pas tek memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-së, dhe më pas vazhdoi me homazhe tek shtatorja e heroit të kombit “Zahir Pajaziti”.

Nga aty, ai tha se sot ka bërë homazhe në tri vende historike që simbolizojnë rezistencën e popullit shqiptar për liri.

12 Qershorin e vlerësoi si ditë të veçantë sepse gjithmonë kujtohen emocionet që qytetarët e Kosovës përjetonin ndërsa trupat e NATO-s hynin në Kosovë.

“Bëmë nderime në tri vende simbolike te rezistencës të luftës në Kosovë dhe sakrificës të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Është ditë e veçantë si plotë ditë të tjera me rendësi për popullin e Kosovës por kjo është vërtetë një e rëndësishme dhe e veçantë sepse këtë ditë secili prej ne kemi parasysh entuziazmin dhe emocionet që kanë përjetuar qytetarët e Kosovës në ato ditë të qershori ndërkohë që trupat e NATO futeshin në Kosovë. Ajo është memoria jonë kombëtare që dhe të jemi falenderues për mbështetjen e jashtëzakonshme që kemi pasur nga partnerët tanë ndërkombëtar për lirinë që sot e gëzojmë”, tha ai./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.