21-vjetori i Çlirimit të Kosovës/ Basha, homazhe pranë bustit të Indrit Carës

TIRANË, 12 qershor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha në ditën e 21-vjetorit të Çlirimit të Kosovës kreu homazhe në bustin e Indrit Carës, heroit nga Kavaja që luftoi dhe dha jetën për lirinë e Kosovës.

“12 Qershorin e vitit 1999 do ta kujtoj përherë si një ndër ditët më të gjata dhe të veçanta të jetës time. Me emocione që vështirë të përshkruhen, hyra në Kosovë pak pas zbarkimit të Gurkave – kontingjentit të parë britanik. Nuk përjetoja vetëm emocionin tim, por jetoja ëndrrën e gjyshërve të mi, ëndrrën me të cilën isha rritur që fëmijë e që po e shihja të bëhej realitet, Kosova e lirë. Në 12 qershorin e 1999 lindi drita e shpresës e lirisë dhe dinjitetit për shqiptarët e Kosovës. Për çdo ditë e brez pas brezi, kujtojmë me mirënjohje  miqtë dhe aleatët e mëdhenj që mundësuan e ndihmuan ëndrrën tonë për një Kosovë të lirë. Mirënjohje të thellë SHBA, vendeve mike Europiane, NATO-s e të gjithë atyre që i dhanë jetë ëndrrës për liri të popullit të Kosovës”, u shpreh Basha.

Ai shprehu mirënjohje për Presidentin Ibrahim Rugova, Komandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe bijat e bijtë e Kosovës e mbarë kombit që luftuan dhe ranë në altarin e lirisë.

“Sot vendosa lule pranë bustit të Indrit Carës, heroit nga Kavaja që luftoi dhe dha jetën për lirinë e Kosovës. Ai, dëshmorët dhe luftëtarët e tjerë nga Shqipëria dhe gjithë viset shqiptare do të mbeten përjetë frymëzimi i një kombi thellësisht mirënjohës, standardi i artë i atdhedashurisë dhe idealizmit të pastër për liri e për atdhe!”, përfundoi Basha.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.