VIDEO/ Masat kundër COVID-19/ Dezinfektohen ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Policia e Shtetit ka treguar një vëmendje të shtuar për dezinfektimin e ambienteve të punës, me qëllim mbrojtjen nga infektimi me COVID-19, pasi dezinfektuesi nuk është më një zgjedhje, por një mjet i domosdoshëm që parandalon përhapjen e virusit.

Duke u nisur nga rastet e shtuara me COVID-19 ditët e fundit dhe në një kohë kur higjiena është kryefjala e ditës, pasi COVID-19 ka bërë që e gjithë bota të ndalojë së vepruari, Policia e Shtetit, krahas masave për sigurimin e maskave dhe dezinfektantëve për punonjësit e Policisë apo dhe ndërtimin e tuneleve të dezinfektimit në Drejtorinë e Përgjithshme dhe në DVP Tiranë, të dhuruara nga bashkia Tiranë, vëmendje i ka kushtuar edhe dezinfektimit të ambienteve në vijimësi.

Me ndërmjetësimin e bashkisë Tiranë dhe mbështetjen e një kompanie private dezinfektimi, gjatë paradites së sotme u dezinfektuan ambientet e jashtme dhe të brendshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Kjo kompani do vijojë të ndihmojë Policinë e Shtetit, duke dezinfektuar ambientet e DVP Tiranë dhe të Komisariateve të Policisë Tiranë.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të mbrojnë veten dhe të tjerët, duke respektuar distancimin social dhe higjienën personale./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.