Tuneli i Llogorasë do të ndërtohet me fondet e buxhetit

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Qeveria shqiptare do ta ndërtojë me fondet e buxhetit të shtetit Tunelin e Llogorasë.

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e e një dite më parë vendimin sipas të cilit i shtohet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, fondi prej 150 milionë lekësh, për projektin “Rishikimi i studimit të fizibilitetit dhe hartimi i projektit të detajuar inxhinierik “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë”.

Në total shuma që qeveria ka akorduar për këtë projekt llogaritet 750 milionë lekë.

Burime zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë bënë të ditur për ATSH-në se janë akorduar fondet për hartimin e studimit të fizibilitetit dhe projektit të detajuar inxhinierik të veprës dhe se pas përfundimit të projektit do të ketë një garë ndërkombëtare.

“Akordimi i fondeve për studimin e fizibilitetit dhe projektin është një lajm i mirë, sepse tregon që po ecet në këtë drejtim. Ndërtimi i veprës do të kryhet me fondet e buxhetit të shtetit. Pas projektit do të ketë garë ndërkombëtare për ndërtimin e tunelit, i cili do të jetë me pagesë“, konfirmuan burimet zyrtare.

Tuneli i Llogorasë është pjesë e paketës së madhe të infrastrukturës në mbështetje e shërbim jo vetëm të qytetarëve, por edhe të strategjisë për zhvillimin e turizmit që qeveria ka./a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.