Shtimi i rasteve me COVID-19/ Mjekja e Infektivit apel qytetarëve: Më shumë kujdes, zbatoni masat mbrojtëse


TIRANË, 11 qershor/ATSH/ I gjithë stafi mjekësor i spitalit Infektiv është në vijën e parë në përballje me pacientët e prekur nga COVID-19, duke ju gjendur pranë jo vetëm si mjekë, por edhe si familjarë, të cilët nuk kanë mundësi t’i shohin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot apelin e dr. Esmeralda Metës, mjeke e përkushtuar ditë-natë në shërbim të të sëmurëve, e cila bën thirrje për më shumë kujdes nga të gjithë qytetarët.

“Natyrisht puna është mjaft e madhe brenda shërbimit. Ne luajmë rolin e stafit mjekësor, por nga njëra anë edhe të familjarit ndoshta, deri diku, jo 100% për pacientin, sepse i ofrojmë edhe suportin emocional, suportin shpirtëror apo edhe nevojat e tjera që mund t’u duhet pacientëve”, tha ajo.

Sipas dr Metës, “shtimi i numrit të rasteve ka rritur edhe nivelin e frikës apo panikut te pacientët apo te familjarët e tyre, ndaj rikujtojmë sërish kujdesin”.

Edhe ministrja Manastirliu bëri edhe një herë një kujtesë mbi masat mbrojtëse. “Të lajmë sa më shpesh duart. Të ruajmë distancën me njëri-tjetrin. Të mbajmë maskë në ambiente të mbyllura ku nuk është e mundur të respektohet distancimi fizik. Lidhuni me mjekun tuaj të familjes ose telefoni Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse keni shenja të sëmundjes”, tha Manastirliu./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.