Rikthehet më 28 qershor në Farkë “Tirana Triathlon”, eventi më i madh i garave sportive

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Për të apasionuarit e sporteve rikthehet në edicionin e saj të tretë më 28 qershor “Tirana Triathlon”, gara më e madhe në Farkë.

Nëse të pëlqen noti, vrapi dhe çiklizmi, atëherë eventi i garave sportive “Tirana Triathlon” është fiks për ty.

Triathlon është një sport, që bashkon tri disiplinat sportive më të njohura dhe të praktikuara në një garë të vetme: not, çiklizëm dhe vrap.

Kryebashkiaku Veliaj ka postuar linkun se ku mund të regjistroheni, ndërsa bën me dije se nga 3 disiplina do të ketë 6 fitues.

“Rikthehet më 28 qershor super eventi i garave sportive Tirana Triathlon. Je i apasionuar pas notit, vrapit apo biçikletës? Regjistrohu në https://www.tiranatriathlon.com/ dhe bëhu pjesë e garës më të madhe në Farkë. 3 disiplina – 6 fitues 15,75 km. Mos harro merr edhe miqtë, për një eksperiencë ndryshe!” – shprehet kryetari i bashkisë së Tiranës.

Të gjithë garuesit duhet të paraqiten pranë digës së liqenit të Farkës para orës 09:00. Për mbarëvajtjen sa më të sigurt të garës të gjitha rrugët do të bllokohen në këtë orë.

Starti i garës do të bëhet në orën 10:00. Të gjitha informacionet e nevojshme do të përcillen edhe një herë ditën e garës në orën 09:45 përmes një Race Briefing. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.