Operacioni antidrogë/ Shkatërrohet banda italo-shqiptare, arrestohen 17 shtetas, 4 prej tyre shqiptarë

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Si rezultat e një bashkëpunimi të konsoliduar mes strukturave policore shqiptare dhe italiane, u bë i mundur realizimi me sukses i një operacioni të gjerë antidrogë, në kuadër të të cilit ditën e sotme u arrestuan 17 shtetas në Itali, 4 prej tyre shqiptarë, të tjerët italianë, që bënin pjesë në një rrjet trafiku ndërkombëtar narkotikësh.

Në total janë 32 persona të proceduar, ndërsa hetimet kanë nisur që në vitin 2017, pasi në brigjet italiane, u kapën sasi të mëdha marijuane dhe në përfundim të hetimeve u lëshuan urdhërndalimet për pjesëtarët e rrjetit, rezidentë në disa qytete të Italisë.

Si prova materiale u kapën dhe sekuestruan mbi 4 tonë marijuanë, 0,5 kg kokainë, 27 mijë euro, 1 gomone, 3 autovetura, armë zjarri e sende të tjera me vlerë për hetimin.

Personat e arrestuar vepronin si organizatë e strukturuar kriminale dhe kryenin transportin, magazinimin, shpërndarjen, shitjen etj., të drogës nëpër qytete të ndryshme të Italisë e kryesisht në veri të këtij vendi.

Operacioni për arrestimin e të kërkuarve i koduar “Beached”, u zhvillua gjatë natës së djeshme dhe ditës së sotme dhe në të u angazhuan njësi të ndryshme të strukturave ligjzbatuese italiane, në bashkëpunim me strukturat e Policisë shqiptare në një bashkërendim operativ mes të dy palëve./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.