KLGJ vendosi për përfundimin e mandatit në Gjykatën e Lartë, reagon Dvorani: Juridikisht, gafë e paimagjinueshme

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi sot përfundimin e mandatit të Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Sipas njoftimit për shtyp nga KLGJ, “në vijim të shqyrtimit të çështjes së adresuar nga Presidenti i Republikës lidhur me qëndrimin e mëtejshëm në detyrë si anëtar i Gjykatës së Lartë të z. Ardian Dvorani, Këshilli vendosi përfundimin e detyrimit të z. Dvorani për të ushtruar mandatin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, si dhe njoftimin e tij për të ushtruar të drejtën për emërim si gjyqtar në një nga gjykatat e apelit të vendit”.

Ndërkohë i kontaktuar nga mediet për këtë çështje, Dvorani tha se “juridikisht është një gafë e paimagjinueshme. Por duhet të shikoj çfarë do të katranosin në arsyetim. Reforma e Drejtësisë ka ende rrugë të gjatë për të provuar qëllimin e mirë të saj. Votimi ka qenë 6 me 4”, tha Dvorani.

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Lartë Gjyqësor shqyrtoi edhe disa çështje të tjera të rëndësishme.

Në funksion të plotësimit të skemës së vlerësimit të gjyqtarëve dhe me qëllim nisjen e shpejtë vlerësimit periodik, Këshilli vendosi miratimin e rregullave për përzgjedhjen me short të çështjeve në procesin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarit, fillimin e procedurës së vlerësimit etik e profesional dhe caktimin nëpërmjet shortit të relatorit dhe nëpunësit përgjegjës, me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimit) të 18 gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit.

Në vijim, Këshilli miratoi dhënien e komenteve dhe kundërshtimeve për raportin e Shkollës së Magjistraturës për rezultatet e vlerësimit paraprak të kandidateve që kanë aplikuar për pranimin në formimin fillestar, për vitin akademik 2020-2021, profili gjyqtar.

Më tej, Këshilli vendosi miratimin e rregullores për funksionimin e Komisionit të Përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankimit ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, si dhe caktimin e relatorit përkatës për kandidatët nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionet e lira të shpallura në datën 26 shkurt 2020.

Me qëllim garantimin e funksionalitetit të disa gjykatave në vend, Këshilli vendosi përsëritjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit Gentian Marku në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, përsëritjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtares Rezarta Paja Aliu në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës, përsëritjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtares Diamela Goxha në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe përsëritjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit Genti Dokollari në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë./m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.