Hoti: Marrëveshja finale me Serbinë do të rezultojë me njohje reciproke

PRISHTINE, 11 qershor /ATSH/ -Kryeministri Avdullah Hoti priti sot në takim ambasadorin e Norvegjisë në Prishtinë, Jens Erik Grondahl, të cilin e informoi për prioritetet e Qeverisë së Kosovës në luftën kundër COVID-19, masat për rimëkëmbjen ekonomike, agjendën e reformave europiane, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe për zhvillimet e përgjithshme në vend.

Kryeministri Hoti shprehu falenderimin e tij dhe të Qeverisë që udhëheq për ndihmën e Norvegjisë dhënë Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit, duke vlerësuar se forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve është i një rëndësie të veçantë edhe në të ardhmen.

Në këtë takim është diskutuar edhe çështja e dialogut, për të cilën kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.