COVID-19/ Ekspertët e Shëndetësisë apelojnë qytetarët për të respektuar distancimin social

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Numri i rasteve të rritura në ditën e fundit e ka vendosur sistemin shëndetësor në gatishmëri të shtuar, por në të njejtën kohë është edhe një apel për të gjithë qytetarët për të qenë të kujdesshëm.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka apeluar për të respektuar masat dhe protokollin e sigurisë.

Duke i cilësuar qytetarët bashkëpunëtorë në këtë betejë, ekspertët e shëndetësisë kanë kërkuar ruajtjen e distancës, ruajtjen e higjienës personele, mbrojtjen e vetes dhe të tjerët për të kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur përhapjen e COVID-19. Bluzat e bardha kanë kërkuar që të mos neglizohet asnjë shenjë e sëmundjes, për këtë qytetarët mund të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare.

Dita e djeshme shënoi edhe numrin më të lartë të rasteve të reja të prekur nga COVID-19, ku nga 311 testime u konfirmuan 42 raste pozitive, përkatësisht, 21 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në Krujë, 2 në Lushnjë, dhe nga 1 rast në Pukë, Berat dhe Urën Vajgurore. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.