Basha, takime me biznesin në njësinë 4: Njerëzit kanë nevojë për mbështetje dhe punë

TIRANË, 11 qershor /ATSH – I. Vata/ “Shqipërisë i duhet një qeverisje normale, për të zgjidhur krizën”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha ndërsa zhvilloi takime me bizneset e vogla në njësinë 4 në Tiranë, ku sipas tij gjendja ekonomike është e vështirë.

Basha shprehet se pamundësia për të siguruar mbijetesën ka prekur shumicën e shqiptarëve.

“Nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes në këmbë, në kushte të vështira për bukën e gojës, e në fund dalin me humbje: Kjo është e vërteta e përditshme e shitësve dhe sipërmarrësve të vegjël në Njësinë nr. 4 në Tiranë. Përditë nga çdo qytetar, pensionist apo i ri, konsumator apo tregtar, dëgjoj të njëjtin shqetësim: Rënie e fuqisë blerëse, rritje e faturave dhe e çmimeve, pasiguri dhe pamundësi për të nesërmen”, tha Basha.

Po ashtu, Basha shtoi se “njerëzit kanë nevojë për mbështetje, kanë nevojë për punë, kanë nevojë për liri dhe mundësi. Shqipërisë i duhet një qeverisje normale, për të zgjidhur krizën që po thellohet çdo ditë dhe për të parë përpara drejt normalitetit dhe zhvillimit”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.