Bardhi: Komisionet zgjedhore nuk kanë qenë problem për zgjedhjet

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se “Partia Socialiste kërkonte që nëpërmjet depolitizimit të rremë të siguronte kapjen e komisioneve zgjedhore”.

I ftuar në një studio televizive, ai tha se “PS nuk donte depolitizimin e komisioneve zgjedhore, por donte të mbushte komisionet zgjedhore me ata individë që i kemi parë”.

“Komisionet zgjedhore nuk kanë qenë problem për zgjedhjet. Shqetësimet reale janë rekomandimet prioritare të ODIHR, së pari shitblerja e votës për të cilën qeveria nuk ofron asnjë zgjidhje, presioni ndaj administratës publike, kërcënimi i punonjësve të administratës publike që, nëse nuk voton hapur partinë në pushtet largohen nga puna, përfshirja e krimit të organizuar në proceset zgjedhore”, tha ai.

Sipas Bardhit “këto janë problemet reale të zgjedhjeve që sjellin deformim të rezultatit dhe këto janë rekomandime prioritare të ODIHR”.

Ai tha se “depolitizimi i administratës zgjedhore është kërkesë e ODIHR-it në 2017-ën që është hequr në 2019-ën, pasi ODIHR konstatoi politizim të administratës shtetërore”.

Bardhi e komentoi po ashtu si të drejtë vendimin për shkarkimin e Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë./m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.