​BE thirrje autoriteteve të Kosovës të miratojnë Kodin e rishikuar të Procedurës Penale

PRISHTINE, 11 qershor/ATSH/-Zyrtarët nga Kosova dhe Bashkimi Europian u mblodhën për një takim digjital më 10 dhe 11 qershor për të diskutuar zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë.

Diskutimi u mbajt në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2016.

Gjatë takimit dy ditor, zyrtarët shkëmbyen pikëpamje për fusha të ndryshme që lidhen me sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe punët e brendshme.

Në të gjitha fushat, Bashkimi Europian dhe Kosova u dakorduan për rëndësinë e zbatimit të prioriteteve të përfshira në Agjendën e Reformave Evropiane, dhe të rekomandimeve të Raportit të Komisionit për Kosovën të vitit 2019.

Sa u përket të drejtave dhe të drejtave themelore të pakicave, Avokati i Popullit përshkroi situatën e përgjithshme në Kosovë, dhe përfaqësuesit diskutuan zbatimin e përgjithshëm të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, barazinë gjinore, lirinë e shprehjes dhe të drejtat e pronës.

U diskutua edhe situata e komuniteteve pakicë, përfshirë zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe integrimin i komuniteteve rom dhe ashkali.

Në fushën e punëve të brendshme u shkëmbyen pikëpamje për luftën kundër terrorizmit, kundërveprimin ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, si dhe për migracionin, azilin dhe menaxhimin e kufijve.

Të dyja palët u pajtuan se zbatimi i plotë i të gjitha strategjive në këto fusha është me rëndësi vendimtare.

Komiteti nënvizoi përkushtimin e autoriteteve për aranzhimin ndërmjet Kosovës dhe BE-së për zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor.

Sa i përket gjyqësorit, palët diskutuan Shqyrtimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit dhe punën për strategjinë e përgjithshme të sektorit në këtë fushë.

Në takim u paraqit edhe shtrirja e mëtutjeshme e sistemit elektronik të menaxhimit të rasteve dhe regjistrit qendror të shënimeve penale.

BE-ja theksoi edhe nevojën që Kuvendi të emërojë anëtarët e mbetur të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe që autoritetet t’i zbatojnë plotësisht Ligjin për Ndërmjetësimin dhe Ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, u diskutua një numër i zhvillimeve legjislative.

Të dyja palët u pajtuan se zbatimi i plotë i të gjithë legjislacionit të ri të lidhur me sundimin e ligjit do të jetë me rëndësi vendimtare.

BE-ja u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të miratojnë Kodin e rishikuar të Procedurës Penale, si dhe legjislacionin e mëtejshëm të lidhur me luftën kundër korrupsionit.

Të dyja palët folën edhe për çështjet e bashkëpunimit policor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

Palët diskutuan edhe nevojën për të forcuar përpjekjet dhe kapacitetet për të trajtuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar. Në mënyrë të veçantë, u fol për konfiskimin e pasurive kriminale si çelësi për të arritur progres në këtë fushë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.