Regjistrimi fillestar i pronës/ Procedura që ndiqet dhe fazat e aplikimit

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Pas një pune përgatitore prej disa muajsh, Kadastra Shqiptare ka hapur zyrtarisht procesin e regjistrimit fillestar në 8 zonat kadastrale të bregdetit të jugut.

Ligji “Për Kadastrën” në nenin 30 të tij përcakton qartë mënyrën sesi kryhet regjistrimi fillestar i pronës.

Sipas ligjit, regjistrimi fillestar bëhet për një zonë kadastrale të identifikuar nga drejtoria vendore.

Regjistrimi fillestar konsiston në pasqyrimin e çdo pasurie të paluajtshme shtetërore, publike dhe private të zonës kadastrale, në kartelën përkatëse të pasurisë dhe në hartën kadastrale të zonës.

Ky produkt i nënshtrohet afishimit publik 45-ditor, ku banorët dhe titullmbajtësit verifikojnë të dhënat e pasurive të tyre, si mbajtja e ankesave përkatëse. Pas përfundimit të afishimit publik trajtohen ankesat përkatëse dhe kthim përgjigje. Më pas vijohet me ngarkimin në sistemin digjital të pasurive të paluajtshme të produktit përfundimtar.

Drejtuesi i drejtorisë vendore, një person ose çdo grup i ngarkuar nga Drejtori i Përgjithshëm kërkojnë që pronësia, si dhe kufijtë e çdo pasurie që duhet regjistruar, të dokumentohen në bazë të akteve të fitimit të pronësisë, sipas nenit 193 të Kodit Civil.

Individët, familjet dhe personat juridikë privatë apo shtetërorë, që zotërojnë dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen, duhet t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me: dokumentin e pronësisë; dokumentacionin hartografik për pasurinë, i cili miratohet nga ASHK-ja; deklaratën noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet.

Nëse deklarata noteriale nuk mund të sigurohet, apo ka mosmarrëveshje për kufirin e pasurive, ai përcaktohet nga ASHK-ja. Palët e interesuara kanë të drejtën e ankimit gjyqësor ndaj aktit të ASHK-së që përcakton kufirin. Drejtoria vendore, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit. Kundër vendimit të drejtorisë vendore ose në mungesë të përgjigjes brenda afatit, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Në procesin gjyqësor gjykata thërret të gjithë pronarët, pronat e të cilëve janë kufitare me njëra-tjetrën e të cilët kanë interes të ligjshëm për gjykim.

Kur sipërfaqja që posedohet dhe ekziston efektivisht në terren, është më e vogël se ajo e përcaktuar në titullin e pronësisë, drejtoria vendore regjistron pronësinë vetëm për sipërfaqen që rezulton efektivisht.

Nëse nga pozicioni i pasurisë rezulton se sipërfaqja që do t’i takonte titullarit është zënë nga prona publike të ndërtuara pas krijimit të titullit të pronësisë private dhe subjekti nuk është shpërblyer sipas legjislacionit për shpronësimin për interes publik, ASHK-ja njofton organin shtetëror përgjegjës për procedurën e shpronësimit, që të kryejë procedurat përkatëse të kompensimit. Në çdo rast, procedura e regjistrimit nuk pezullohet.

Për pasqyrimin e saktë hartografik të pasurive, ASHK-ja shfrytëzon produktin e fotografimit ajror të Republikës së Shqipërisë. Për çdo pasuri të identifikuar nga verifikimi në terren dhe që gjendet në hartën e re kadastrale, krijohet praktika e pronësisë me dokumentacionin që parashikohet në këtë ligj.

Procedura e regjistrimit fillestar fillon me vendim të drejtuesit të zyrës vendore ose me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm.

Mbledhja dhe organizimi i të dhënave, në funksion të procedurave të regjistrimit fillestar dhe të përmirësimit, kryhet nga: vetë ASHK-ja nëpërmjet strukturave dhe personelit të saj; subjekte të treta, të kontraktuara nga ASHK-ja, në përputhje me rregullat e legjislacionit “Për prokurimin publik”; ose  njësitë e vetëqeverisjes vendore mbi bazën e marrëveshjeve të miratuara nga këshilli drejtues i ASHK-së.

Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka sqaruar se ky proces do të trajtojë rreth 16.500 pasuri private, kryesisht toka të përfituara me AMTP (përmes ligjit 7501/1991), shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi, prona të vjetra, objekte të privatizuara, etj.
Gjithashtu, procesi do të trajtojë edhe rreth 5200 pasuri shtetërore, kryesisht prona të institucioneve publike, vepra infrastrukture, kullota, pyje, etj. Prej tij do të përfitojnë rreth 8000 banorë, rezidentë apo të emigruar të këtyre zonave.

Regjistrimi fillestar do të kryhet në 8 zonat kadastrale të bregdetit të Jugut dhe konkretisht:

ZK 2863 – Palasë,
ZK 1481 – Dhërmi,
ZK 3844 – Vuno,
ZK 2518 – Lukovë,
ZK 1739 – Gjilekë,
ZK 1982 – Ilias,
ZK 1952 – Himarë,
ZK 2806 – Nivicë.

/a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.