Reforma Zgjedhore/Ruçi takim me opozitën parlamentare: Me rëndësi ndryshimet ligjore

TIRANË, 10 qershor /ATSH – I. Vata/- Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u takua sot me kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, sipas kërkesës së tyre, për të diskutuar mbi reformën zgjedhore.

Në takim ishin të pranishëm Myslim Murrizi, Kryetar i Grupit Parlamentar Demokrat, Nimet Musai, Kryetar i Grupit Parlamentar  të Pavarur dhe Edmond Stojku, kryetar i Grupit Parlamentar “Demokraci dhe Drejtësi”.

Përfaqësuesit e opozitës parlamentare i paraqitën Kryetarit të Kuvendit objeksionet e tyre për propozimet e Këshillit Politik për kryerjen e reformës zgjedhore, implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, dhe nënvizuan se këto ndryshime duhet të shqyrtohen e votohen në Kuvend, i cili, si organ ligjvënës, është institucioni legjitim për të realizuar reformën zgjedhore.

Ruçi vlerësoi produktivitetin dhe kontributin e grupeve parlamentare të opozitës në realizimin e reformave të rëndësishme në vend, si reforma në drejtësi, votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, zgjedhja e anëtarëve të institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë.

Ai nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni legjitim për kryerjen e reformës, duhet dhe do të respektojë sensibilitetin e të gjithë grupeve parlamentare për realizimin e ndryshimeve ligjore në kuadrin e reformës zgjedhore. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.