“Paga e luftës”/ Do ta marrin të gjithë ata që kanë humbur mundësinë për punë qoftë edhe një ditë

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se deri në mesin e muajit qershor çerek milioni njerëz do të kenë marrë pagën e luftës të dhënë nga qeveria shqiptare si ndihmë financiare në situatën e krijuar prej COVID-19.

“Kam parë disa spekulime të bëra, që natyrisht janë të nxituara, po unë nuk po i adresoj për shkak të nxitjes, por kemi një fasoneri ku njerëzit dalin e thonë s’na kanë dhënë asgjë. Ne kemi bërë analizën. Ne nuk mund të paguajmë njerëz që nuk janë mbyllur asnjë ditë dhe e kanë marrë pagën rregullisht”, deklaroi Kryeministri në konferencën e sotme për shtyp.

Rama bëri të ditur se do të paguhen të gjithë ata që qoftë edhe një ditë kanë humbur mundësinë për punë.

Sipas kryeministrit, pjesa më e madhe e punëdhënësve kanë aplikuar, ndërsa janë edhe 4500 tatimpagues që nuk kanë aplikuar për punëmarrësit e tyre.

“Janë afro 4500 që nuk kanë aplikuar. Ne i kemi paralajmëruar disa herë për të mos i ndëshkuar”, tha Rama. Por, vijoi ai, edhe sot që flasim tatimet po lëvrojnë para direkt te punëmarrësit për të mos i lënë njerëzit jetimë në këtë proces.

“Ne nuk jemi të stilit që shiko ty të takon, por fajin e ka kompania, ajo nuk aplikon e ne nuk ta japim dhe me këtë rast kursejmë ca para, apo të mos japim paratë që kemi premtuar. Jo. Ne kemi qenë proaktivë, tatimet kanë bërë punën e tyre dhe kanë verifikuar çdo person, kompani për kompani, kryesisht te kompanitë që nuk u përgjigjën”, tha Rama.

Sipas tij, kompanitë që nuk u përgjigjën do të ndëshkohen për mungesë solidariteti dhe mungesë respekti për punën e tjerëve.

Por tha ai, kjo nuk mjafton, pasi punonjësve u intereson nëse do i marrin pagat e tyre apo jo.

“Do të kemi çerek milioni njerëz që do të marrin pagat. Këto videot e viktimave në sytë e politikës së premtimeve të pambajtura janë të shëmtuara, të turpshme dhe mbi të gjitha janë të sajuara. Ne e dimë që ka akoma njerëz që nuk i kanë marrë lekët. I kemi me emra dhe do t’i publikojmë të gjitha. Do të bëjmë publikimin e çerek milioni njerëzish me emër e mbiemër. Mund t’i verifikoni, bazuar në të dhënat bankare jo në lista dëshirash. Dhe përsëri do të jemi gati, nëse do të ketë ende që do të jenë jashtë skeme për çfarëdo arsyeje”, deklaroi Kryeministri.

Rama tha se “pavarësisht që ne e dimë shumë mirë që e kanë rifilluar punën, ne sërish do të japim pagat për çerek milioni të punësuarish. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.