Opozita parlamentare: Të vendosur për ndryshim të sistemit zgjedhor

TIRANË, 10 qershor /ATSH – I. Vata/ Kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës të përfaqësuar nga kryetari i Grupit Parlamentar Demokrat, Myslim Murrizi, Nimet Musai, kryetar i Grupit Parlamentar të Pavarur dhe Edmond Stojku, kryetar i Grupit Parlamentar “Demokraci dhe Drejtësi” pas takimit me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, deklaruan sot se presin takim edhe me kryeministrin Edi Rama për të diskutuar në lidhje me kërkesat e tyre për Reformën Zgjedhore.

Në një prononcim për mediet, Murrizi tha se “në takim me Ruçin gjetëm dakordësinë e plotë që asnjë institucion tjetër jashtë institucioneve kushtetuese që është parlamenti nuk mund të zëvendësojë institucionin legjitim dhe sovran të shqiptarëve, parlamentin shqiptar”.

“Diskutimet për reformën do të bëhen vetëm në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Pas takimit me Ruçin, ne kemi kërkuar takim me kryeministrin Rama dhe në respekt të zbatimit të kërkesës tonë, tre kryetaret e grupeve parlamentare dhe tre kryetaret e komisioneve parlamentare të opozitës, braktisëm Konferencën e Kryetarëve për të mbajtur një qëndrim që askush brenda apo jashtë institucioneve legjitime nuk mund të tallet me sovranitetin e votës tonë dhe mandatin e deputetit që ne kemi marrë”, tha ai.

I pyetur nga gazetarë se janë gjashtë deputet që mund të votojnë pro reformës zgjedhore, Murrizi tha se “nuk është tagri im të merren me sharlatanë që kërkojnë të marrin poste. Unë jam deputet dhe nuk do ta votoj arnimin nëse nuk merren parasysh listat e hapura, depolitizimin e administratës dhe votën e emigrantëve”.

Kryetari i grupit ‘Demokraci dhe Drejtësi”, Edmon Stojku tha se opozita nuk do të marrë pjesë në asnjë komision parlamentar deri sa të zhvillojë takim me të gjithë aktorët që janë pjesë e reformës zgjedhore dhe kërkesat e tyre të merren parasysh.

“Duke theksuar me të madhe që media dhe publiku të arrijnë të kuptojnë se kemi dy elementë të rëndësishëm në këtë reformë, faktorë dhe aktorët. Faktorët duhet të sjellin të gjitha amendimet dhe projektet e tyre për të formatuar Kodin Zgjedhor, por aktorët e vetëm që kanë pushtetin e votës jemi ne deputetët e parlamentit. Ne kemi një listë prej 39 deputete të firmosur të cilët janë dakord për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe për këtë arsye  kërkojmë takim me Ramën. Morëm vendimin që opozita parlamentare të mos vazhdojë me mbledhjet e komisioneve parlamentare, pasi nëse nuk takojmë të gjithë aktorët në këtë proces nuk do të jemi në gjendje të japin produktin tonë. Ne kemi ardhur në parlament për popullin shqiptar dhe të ndryshojmë këtë politikë 30-vjeçare”, tha Stojku. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.