Nuk janë rritur taksat për biznesin e vogël, por atyre që fitojnë më shumë

TIRANE, 10 maj/ATSH/ “Ne u kemi rritur taksat atyre që fitojnë më shumë, ne nuk kemi rritur taksat e atyre që fitojnë më pak”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në reagim edhe të deklaratave të opozitës joparlamentare se qeveria ka rritur taksat.

Gjatë një konference për shtyp, Rama tha se biznesi i vogël edhe pa heqjen e tatimfitimit dhe TVSH-së, e cila pritet të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar, paguajnë më pak sesa paguanin më parë.

“Të gjithë ata që janë me biznes të vogël edhe pa këtë zerim, paguajnë më pak sot seç paguanin me ata që thonë që kemi rritur taksat. E kishin 10% të sheshtë, ajo e sheshta e bënte edhe sanitaren e kësaj ndërtese të paguante taksë më të lartë sesa Kryeministri. Sot nuk ndodh kështu. Sot unë paguaj një taksë shumë më të lartë sesa ajo, dhe është gjëja më normale në botë që ndodhi”, tha Rama.

“Të gjithë shqiptarët duhet të kuptojë se kur unë flas për arritje dhe për suksese në fushën e reformave ekonomike, kam parasysh progresin e bërë në raport me të djeshmen. Nuk kam parasysh që ne kemi arritur horizontin e dëshirave dhe ambicieve tona, natyrisht dhe dëshirave dhe ambicieve të tyre. Dhe nuk ju kërkoj të çohen në këmbë dhe të duartrokasin për këto çudira, sepse nuk janë çudira. Janë arritje të rëndësishme në një punë me sakrifica të mëdha dhe Eurobondi i djeshëm është konfirmimi, e thënë në shqip, fjalët mbrapsht të gjithë analistëve, idealistëve, kroniksve dhe PD-istëve që merren me ekonomi dhe me shifra”, deklaroi Kryeministri Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.