Më 15 qershor rinisin fluturimet me Greqinë, vendimi parashikon protokolle të rrepta sigurie ndaj COVID-19 nga 2 shtetet

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë informoi qytetarët se duke filluar nga data 15 qershor 2020 do të rinisin fluturimet e rregullta Tiranë-Athinë dhe Athinë-Tiranë.

Vendimi i qeverive të të dy vendeve për të rinisur fluturimet e rregullta parashikon edhe zbatimin e protokolleve të rrepta të sigurisë kundër COVID-19, të miratuara nga autoritetet e Shëndetit Publik.

“Njohja paraprake me këto protokolle dhe zbatimi me përpikëri i tyre nga të gjithë pasagjerët, jo vetëm do të rrisë sigurinë, duke frenuar përhapjen e infeksionit COVID-19, por njëkohësisht do të lehtësojë ndjeshëm të gjithë procedurat që do të ndiqen në aeroportet respektive”, thuhet në deklaratën e MIE.

Sipas MIE-s, Qeveria shqiptare është në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë e shteteve europiane, për të avancuar me procesin e hapjes së aeroporteve nga ana e tyre.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që përpara çdo udhëtimi jashtë vendit të mirë informohen lidhur me protokollet e sigurisë, të hartuara nga vendet ku ata do të udhëtojë dhe që janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë udhëtarët”, thuhet më tej./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.