TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot akuzave të opozitës lidhur me Eurobondin, ndërsa deklaroi se “Shqipëria dje triumfoi dhe Eurobondi ishte një sukses kuptimplotë”.
Rama iu përgjigj akuzave të ish-deputetes së PD-së Jorida Tabaku, e cila deklaroi se “janë 650 milionë euro të tjera të marra borxh, njësoj si borxhet e mëparshme të kësaj qeverie”.
“Doni s’doni ju Eurobondi ishte një sukses kuptimplotë, përmbajtja e të cilit është pasqyrë e qartë e zbrazëtisë së propagandës politike-mediatike kundër qeverisë dhe në fakt, kundër vetë Shqipërisë që ju e tregoni përditë si ferrin mbi tokë! Shqipëria dje triumfoi, doni s’doni”, tha Rama.
Ai theksoi se “kjo shoqëri ka nevojë për t’u pastruar nga helmi i fjalëve të rënda, të cilat prej vitesh janë bërë buka dhe djathi i tregut të politikës”.
“Përmbahu zonja Tabaku, përmbahu, sepse gjuha e akuzave dhe fyerjeve nuk është as argument, as shembull qytetarie në një shoqëri që ka nevojë për t’u pastruar në gjak e në mendje nga helmi i fjalëve të rënda, të cilat prej vitesh janë bërë buka dhe djathi i tregut të politikës”, tha Rama.
Më herët, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi se “650 milionë euro të tjera, të marra borxh, njësoj si borxhet e mëparshme të kësaj qeverie, do të shkojnë për projektet korruptive të Edi Ramës, që nuk kanë lidhje me interesin publik, por vetëm të 4-5 njerëzve”. /m.m/ /a.g//r.e/