Amnistia Fiskale/ Nuk përfiton askush që është marrë me politikë në Shqipëri që nga dita e parë e pluralizmit

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Funksionarët dhe politikanët janë tërësisht të përjashtuar nga Amnistia Fiskale, nismë e qeverisë që do t’i shkojë Kuvendit për miratim shumë shpejt.

Kryeministri Edi Rama gjatë një daljeje për mediet deklaroi se askush që është marrë me politikë në Shqipëri, që nga dita e parë e plularizmit, nuk do të jetë pjesë e Amnistisë Fiskale.

“Gjithkush që ka patur një mandat qeverisës parlamentar apo në pushtetin vendor, që kur kanë ardhur zgjedhjet e lira në Shqipëri dhe pluralizmi, nuk mund të jenë pjesë e amnistisë“, tha Rama.

Kryeministri tha se pjesë e procesit të amnistisë nuk do të jenë as gjykatësit dhe as prokurorët.

“Funksionarët e lartë të drejtorive aktuale të institucioneve janë të përjashtuar. Askush që është marrë me politikë në Shqipëri që nga dita 1 e pluralizmit nuk do të jetë pjesë e amnistisë. Asnjë që ka qenë gjykatës apo prokuror, qoftë edhe një ditë të vetme, që nga viti ’90 nuk do të mund të amnistojë asgjë“, deklaroi Kryeministri Rama./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.