650 milionë euro për 7 vjet me interes 3.625%/ Drejtuesi i konsulentit “Rothschild”: Shqipëria, i pari vend i tregjeve emergjente që arrin të dalë me prim zero 

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Eurobondi i emetuar dje, prej 650 mln euro është për një afat 7-vjeçar dhe me interes 3.625%.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, Kryeministri Rama lexoi mesazhin e drejtuesit të bankës “Rothschild”, që ishte konsulenti i Shqipërisë, pasi gjithmonë ka një bankë që shoqëron vendet në këto procese.

“Dua ta ndaj me ju për kënaqësinë e përbashkët jo për të shtuar lëvdatat e merituara për qeverinë, por për kënaqësinë në këtë moment kaq të rëndësishëm për ekonominë, të ardhmen dhe perspektivën e vendit”, – tha Rama.

“I dashur kryeministër, kemi mbyllur bashkë me kolegët emisionin e Eurobondit 650 milionë për 7 vjet me 3.625% interes. Shqipëria është i pari vend i “Tregjeve emergjente”, që arrin të dalë me një prim zero nga një emision i ri bondesh. Është një sukses i jashtëzakonshëm duke marrë parasysh mjedisin e tregjeve sot, që mbetet shumë kolatil dhe cilësinë e librit pasi ai përbën një bazë investimesh që zgjerohet në mënyrë domethënëse. Më tutje libri përfaqësonte në momentin e fundit 3.1 miliardë në mbyllje domethënë 4.8 herë më shumë sesa nevojat e vendit. Dolëm me një objektiv dhe na ofruan 4.8 herë më shumë”, – tha Rama.

Më tej, kryeministri u shpreh se “si mund t’i ofrohen një kredimarrësi të pabesueshëm ose jo solid, ose me risk 4.8 herë më shumë se sa çfarë ai synon të marrë. Përgjigjja është e qartë, mund t’i ofrohen, sepse kredimarrësi në këtë rast shteti shqiptar është i besueshëm, ka librin e llogarive të parë jo nga këndvështrimi i analistëve politikë, që së fundmi merren me ekonomi apo i politikanëve që iu kanë rënë për hise të mbulojnë ekonominë edhe pse lidhje me ta nuk kanë nga pozitat e opozitarëve. Është syri i tregjeve, libri që përfaqësonte 4.8 herë më shumë sesa nevojat flet shumë qartë”.

“Po ashtu flitet për Yield-in që u ul në mënyrë të konsiderueshme gjatë ditës, nga 4.125 në 3.635 duke i lejuar Shqipërisë një ekonomizim shumë serioz në pagesën e borxhit, gjë që na bën veçanërisht shumë të lumtur, thotë drejtuesi i Bankës”, citoi Rama, duke shtuar se është një nga bankat më prestigjioze të planetit, që na ka konsultuar në këtë proces.

“Po të bëjmë një krahasim, – shton drejtuesi i bankës, – emisioni i fundit i Eurobondit që Maqedonia e Veriut mori përpara 15 ditësh me një Yield 3.95, flet vetë duke pasur parasysh që Rating-u i Maqedonisë së Veriut është BB +. Pra Maqedonia e Veriut ka një Rating më të lartë e Shqipëria nga tregjet, u vlerësua me një përgjigje që flet për një nivel vlerësimi de facto më të mirë”, u shpreh Rama.

“Sjell këtu këtë shembull, sepse nuk besoj se këto janë krahasimet më të mira për t’u bërë, por meqë ka hyrë në modë krahasimi me vendet dhe me çfarë bëjnë të tjerët, kjo ka thjesht këtë vlerë”, – tha Rama.

“Në fund ai e mbyll duke thënë për kujtesë se emisioni i Eurobondit në 2018 për Shqipërinë ishte 3.55 dhe jemi veçanërisht të lumtur për faktin që jemi shumë afër me të pas dy goditjesh tërmeti dhe pandemisë, që në rast se Shqipëria nuk do të kishte këtë paraqitje të parametrave dhe treguesve makroekonomikë do ta kishim goditur nënvlerësimin e tregjeve”, – citoi Rama drejtuesin e bankës. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.