20 të shëruar në 24 orët e fundit/ 980 pacientë kanë fituar betejën me COVID-19

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 20 të prekur nga Covid19 mes të cilëve 8 personel shëndetësor, duke e çuar në 980 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik theksoi sot në komunikimin e përditshëm se “në vendin tonë janë aktualisht 327 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë dhe Shkodër, ku ka transmetime komunitare”.

“Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 19 mijë testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1341 raste”, – tha Dervishi.

Në 24 orët e fundit janë kryer 311 testime nga të cilat janë konfirmuar 42 raste  pozitive, përkatësisht, 21 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në Krujë, 2 në Lushnje, dhe nga 1 rast në Pukë, Berat dhe Ura Vajgurore./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.