Siguria ushqimore/ Çuçi: Produktet bujqësore të garantuara, eksportet u rritën me 10% këtë 5-mujor

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi u shpreh sot se, siguria ushqimore është një çështje e të gjithëve, duke folur për masat që janë marrë në drejtim të rritjes së standardeve.

Gjatë një interviste televizive, ministri tha se apeli i drejtohet të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të ndërgjegjësohen dhe të kontribuojnë për këtë çështje, pasi duke punuar të gjithë së bashku do të kemi në vend siguri ushqimore të garantuar.

Çuçi solli në vëmendje se, gjatë një viti është arritur të shtohet me 43 numri i testeve të reja laboratorike në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, duke e çuar në 102 numrin e përgjithshëm të këtyre testeve ushqimore.

Ndërkohë, ndryshimet ligjore për regjistrimin e çdo produkti plehërues që përdoret në  bujqësi, janë një masë që garanton për sigurinë e prodhimit bujqësor.

Gjithashtu, tha ai, qeveria ka ndërmarrë ndryshime në ligjin për veterinarinë, që konsolidojnë kontrollin blegtoral në shkallë vendi nga ferma deri në tavolinë dhe ofron vaksinim falas për blegtorinë. Ndryshimet në Kodin Penal, sipas tij, synojnë të forcojnë masat ndaj atyre që abuzojnë me sigurinë ushqimore.

Një tjetër hallkë tha ministri është edhe riorganizimi i AKU-së, që është bërë nën konsulencën e AKU-së irlandeze e finlandeze. “Po miratojmë ndryshimet që konsistojnë tek gjurmimi i rasteve në gjenezë aty ku janë vatrat e abuzimit përmes shërbimit më të sofistikuar të kontrollit ushqimor. Ndërsa kemi bërë progres suksesi në disiplinimin e thertoreve të mishit dhe puna po vijon në formalizimin e plotë të këtij tregu”, – u shpreh Çuçi.

“Kemi një interes të shtuar për investime në thertore sipas standardeve më të mira dhe synojmë që prodhimet blegtorale shqiptare të hyjnë në tregjet europiane”, – tha ai.

Duke iu referuar analizave dhe testimit të tregut të produkteve bujqësore, ministri tha se “produktet bujqësore shqiptare janë të garantuara për sa i takon sigurisë ushqimore”.

“Nga 300 mostra (perime, fruta) për mbetjet e pesticideve vetëm dy raste kanë pasur probleme. Ky është një fakt dhe lajm i mirë për sigurinë ushqimore që garantojnë këto produkte”, – tha ai.

Ministri theksoi se qeveria po rrit mbështetjen për bujqësinë dhe shifrat flasin për një zhvillim të dukshëm të këtij sektori.

“Eksportet bujqësore u rritën me 10% në 5-mujorin e parë të vitit dhe 24% në vlerë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mbetem i bindur që rritja e eksporteve krijon kushte për një zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë në Shqipëri”, – tha Çuçi, ndërsa evidentoi se në këto eksporte kryeson domatja, por edhe speci, lakra etj., që eksportohen në shumë vende të BE-së. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.