Promovimi i trashëgimisë kulturore/ Menaxhim i integruar për zonat arkeologjike A dhe B të Durrësit

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe bashkia Durrës nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit, që ka për qëllim hartimin e Planit të Menaxhimit të Integruar të Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit (2021-2027) si dhe krijimin e TID Durrësi.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Aleksandër Sarapuli dhe Martin Mata, bashkëdrejtorë ekzekutivë të AADF dhe Emiriana Sako, kryetare e bashkisë së Durrësit.

Zona urbane në mbrojtje e qytetit të Durrësit mbart dëshmi të rëndësishme të evoluimit historik dhe kulturor të këtij qyteti, duke filluar nga shek. VII para Krishtit e deri më sot.

Zonat arkeologjike “A” dhe “B”, janë pjesë e pasurisë kombëtare arkeologjike, e kujtesës dhe identitetit kombëtar dhe rajonal, me një rëndësi të veçantë në nxitjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të rajonit.

Ministria e Kulturës, si institucioni përgjegjës për mbrojtjen, ruajtjen dhe administrimin e pasurisë kulturore të kësaj zone, vlerëson se menaxhimi i integruar i zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit, do të kontribuojë në mbrojtjen, restaurimin, vlerësimin promovimin të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti.

“Që në ditët e mia të para në Ministrinë e Kulturës kam kërkuar të njihem me hapat e ndërmarra, për hartimin e një vizioni të ri për Durrësin, për këtë qytet me potencial të jashtëzakonshëm, me një amfiteatër që është zemra e qytetit dhe që të gjithë ne, e dimë fare mirë, se ka nevojë për një vëmendje të shtuar. Amfiteatri është jo vetëm një atraksion turistik, por krenaria e Durrësit dhe duhet t’i rikthehet qytetit, ashtu si ka lindur, për të njëjtat funksione, për të mbledhur komunitetin”, – theksoi Margariti.

Ministrja u shpreh se “tashmë kemi një kornizë të shëndoshë ligjore, që na jep mundësinë të jemi të saktë në të gjitha hapat që do të ndërmerren. Dhe hapi i parë është pikërisht një plan menaxhimi i integruar për trashëgiminë kulturore. Këtë nuk mund ta bëjmë të vetëm, jo sepse Ministria e Kulturës nuk ka kapacitetet e nevojshme, por sepse pushteti vendor dhe partnerët tanë janë hallka të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të qytetit. Sot jemi këtu me dëshirën e përbashkët, për të krijuar një zonë të mirëfilltë, si ka ndodhur në Pazarin e Tiranës, Qafën e Pazarit në Gjirokastër, Qendrën Historike të Vlorës etj”.

“Durrësi ka një potencial edhe më të madh. Durrësi ka një port me një vizitueshmëri shumë të lartë dhe që gjithnjë e më tepër po hapet ndaj turizmit të huaj; Durrësi ka ende një histori për të zbuluar. Sot ndodhemi me siguri mbi një pjesë të historisë, e cila ende duhet zbuluar, studiuar dhe treguar, për fëmijët tanë dhe për të huajt”, – tha Margariti, duke u shprehur se ky proces do të mbledhë rreth vetes ekspertë shqiptarë e të huaj, në një kohë që Ministria e Kulturës do të jetë monitoruesi i marrëveshjes së nënshkruar.

Duke shprehur kënaqësinë për nënshkrimin e këtij memorandumi, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako theksoi se “qyteti i Durrësit ka pasur një zhvillim në konceptin e akupunkturës dhe kryesisht të rigjenerimit urban, infrastrukturës në rrugë, ujësjellësa, në sheshe. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme, sepse përmes saj ne hedhim vështrimin drejt trashëgimisë kulturore, e cila është një aset shumë i rëndësishëm për qytetin e Durrësit, me një potencial shumë të madh turistik vendor, kombëtar e ndërkombëtar. Shpresoj që projekti të ketë finalizimin e tij të shpejtë dhe do të kemi mundësi të shohim në terma konkretë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”.

Bashkë-drejtori Ekzekutiv i AADF-së, Martin Mata, duke përmendur rëndësinë e kësaj zone, u shpreh se “besoj nuk do quhej ekzagjerim nëse do të thonim që Durrësi është Roma e Shqipërisë dhe ky amfiteatër është Koloseumi i saj. AADF ka vite që e sheh me interes dhe vëmendje këtë thesar të jashtëzakonshëm të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Në analizën që bëmë pas tërmetit dhe me dëshirën për të ndihmuar në mënyrën tonë më të mirë, përpjekja për t’i dhënë Durrësit një zonë TID dhe bashkë me të përpjekja për të nxjerrë në dritë amfiteatrin e Durresit, ishin dy përfundimet që na bënë të vijmë në këtë moment. U jemi mirënjohës Ministrisë së Kulturës dhe bashkisë Durrës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre”.

Përmes Memorandumit të Mirëkuptimit,  konfirmohet angazhimi i të gjitha palëve për të bashkëpunuar dhe përcaktuar përgjegjësitë, të drejtat dhe detyrimet në hartimin e këtij Plani Menaxhimi, i cili ka për qëllim të ofrojë një perspektivë të re me një kornizë të prekshme dhe të matshme për qëndrueshmërinë e ardhshme të zonës, si dhe për hartimin e projektit arkitektonik për Zonën TID Durrës me bashkinë Durrës.

AADF angazhohet të financojë hartimin e planit të menaxhimit të integruar të zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit dhe hartimin e të projektidesë dhe projektit të detajuar arkitektonik për Zonën TID; të përzgjedhë konsulentë vendas dhe/ose ndërkombëtare dhe ekspertë të fushave të ndryshme, sipas nevojës për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.

Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës angazhohet të ofrojë, dokumentacionin teknik dhe të dhëna të tjera që mund të nevojiten gjatë hartimit të planit; të ofrojë mbështetjen institucionale gjatë gjithë fazave të hartimit të projektit; të realizojë në mënyrë të koordinuar me AADF dhe bashkinë Durrës dëgjesa dhe konsultime publike gjatë hartimit dhe pas përfundimit të draftit të Planit të Menaxhimit të Integruar.

Ndër detyrat e bashkisë së Durrësit, krahas ofrimit të dokumenteve të nevojshme teknike, informacionit dhe të dhënave të kërkuara, është miratimi i zonës gjeografike, që do të përbëjë zonën TID Durrësi dhe kufijtë e saj, e cila ndodhet brenda zonës arkeologjike A; të mbështesë fazën e përgatitjes së projektit arkitektonik për zonën TID Durrësi; të prezantojë dhe të përpiqet për sigurimin e fondeve të mjaftueshme pranë qeverisë qendrore apo donatorëve të tjerë, për zbatimin e Projektit; të ndërmjetësojë tek donatorë, partnerë të qeverisë apo institucione të tjera, të cilat duan të kontribuojnë në infrastrukturë apo projekte të tjera zhvillimore në zonë, etj./k.s/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.