PPE mbështet Shqipërinë në rrugën drejt BE-së/ Eurodeputeti gjerman vlerëson marrëveshjen për Reformën Zgjedhore

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Grupi i Partive Popullore Europiane vazhdon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Kështu deklaroi sot eurodeputeti Michael Gahler, ndërsa vlerësoi marrëveshjen mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri për një pjesë të rëndësishme të Reformës Zgjedhore në përputhje me standardet e BE dhe OSBE-së.

“Reforma duhet të përfundohet në këtë frymë dhe mbi të gjitha, të zbatohet në mirëbesim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale. Ato duhet të jenë të lira dhe të drejta! Kjo është thelbësore për demokracinë në Shqipëri, por plotëson edhe dy kushte të vendosura nga BE për fillimin e negociatave të pranimit”, tha Gahler.

Gjithashtu, ai u bëri thirrje autoriteteve të punojnë drejt plotësimit të 15 kushteve që Shqipëria duhet të zbatojë përpara se të fillojnë negociatat e pranimit.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.