Pas personelit shëndetësor, testit serologjik do i nënshtrohen efektivët e Policisë së Shtetit

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi sot se pas personelit shëndetësor, testit serologjik do i nënshtrohen efektivët e Policisë së Shtetit.

Gjatë një interviste në media, Tomini u shpreh se të dhënat që janë raportuar nga 2300 testime serologjike në personelin shëndetësor treguan se kemi një përqindje pozitivitet deri në 7%.

“Në mbi 2300 testime në personelin, vetëm 7% e tyre kanë rezultuar të përballur me COVID- 19, kanë prezencë të antikorpeve. Pjesa tjetër nuk është përballur që do të thotë që nuk ka patur kontakt ose kanë respektuar masat e përkujdesit shëndetësor për parandalimin e prekjes”, tha Tomini.

Tomini deklaroi se strategjia e testimit serologjik është të shtrihet fillimisht në grupet që janë më të ekspozuara dhe më pas edhe te popullata e gjerë.

“Strategjia është fokusuar në dy grupe kryesore, personeli shëndetësor si linjë e parë dhe personeli i policisë së shtetit. Do të jetë ky grup i dytë i riskut për tu vlerësuar për prezencë të imunitetit apo antikorpeve përkundrejt përballjes me COVID. Tendenca është për tu shtrirë edhe në popullatën e gjerë. Taskforca e ka vlerësuar një mundësi të tillë për të krijuar një kampion të caktuar”, u shpreh Tomini.

Lidhur me rastet në rritje të individëve të prekur me COVID-19, Tomini u shpreh se kjo lidhet me heqjen e kufizimeve dhe me mosrespektimin e masave nga ana e qytetarëve.

“Distancimi fizik nuk është respektuar. Mbajtja e maskës dhe dorezave në ambiente të mbyllura si dhe higjienës personale duhet të respektohet maksimalisht”, tha Tomini./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.