“Nuk do lëmë vetëm askënd”/ 100 milionë lekë garanci sovrane për fasonët, turizmin dhe biznesin prodhues

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Qeveria shqiptare ka ndihmuar me garanci sovrane 100 milionë lekë biznesin fason, turizmin dhe biznesin prodhues.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste televizive u shpreh se, qeveria u ka ardhur në ndihmë gjatë periudhës së pandemisë jo vetëm punonjësve, por dhe biznesit për të paguar punonjësit, duke theksuar se “viti 2021 do të jetë viti i hovit ekonomik”.

“Për sa i përket fasonëve, të gjithë atyre që janë punonjës në fason e që janë goditur në vendin e tyre të punës, qoftë edhe për pak ditë janë rimarrës, ose për më shumë se pak ditë, u kemi dhënë 400 mijë lekëshin. I kemi dhënë industrisë fasone, industrisë së turizmit, i kemi dhënë dhe bizneseve prodhuese një garanci sovrane 100 milionë lekë, ku të gjithë këta që janë në këto sektorë do të kenë mundësinë, dhe kanë nisur ta bëjnë këtë gjë, të marrin nga bankat për kapitalin e tyre qarkullues. Kjo vlen pikërisht që ata të kenë mundësi të vazhdojnë punën dhe të mbajnë njerëzit në punë, sepse i kanë të specializuar. Patjetër që do ketë një pakicë që s’do akomodohet, siç do ketë një pjesë tjetër që s’ka qenë në punë përpara COVID dhe do futet në punë. Sepse papunësia nuk do shuhet pas COVID, ashtu sikurse nuk ishte e shuar para COVID”, – tha Rama.

“Ato që do ngelen pa punë për fatin e mirë, janë në dorë të kësaj qeverie dhe nuk do lëmë vetëm askënd. Dhe këtë ato e tregojnë shumë shpesh, duke iu përgjigjur atyre që thërrasin për revolucion dhe kanë votuar ndryshe nga ata që thërrasin për revolucion”, – tha Rama.

“Fakti është që po të shikosh shifrat konkrete, lëvrimin konkret të parasë, jo para të thëna në mënyra të përgjithshme, Shqipëria siç ka një nga rezultatet më spektakolare në luftën ndaj COVID dhe kjo është meritë e shqiptarëve dhe qeverisë së Shqipërisë, ka edhe paketën e dytë më të rëndësishme financiarisht në raport me lekët direkte, të vërteta, në rajonin tonë. Ky është fakt. Mali i Zi e bën në një formë, një tjetër vend, në formë tjetër… etj. Sot jemi në tregun e kapitaleve dhe nesër do marrim përgjigje nga tregu i kapitaleve. Nëse Shqipëria është ajo që them unë, nesër në tregun e kapitaleve do kemi sukses”, – tha Rama.

“Deri në fund të katërmujorit, që mbyllet në shtator, pra fundgushti-fillimshtatori, ne do jemi në fazë rezistence. Nga shtatori në nëntor, ne përgatisim buxhetin e ri dhe do marrim më pas hovin e ri për vitin tjetër dhe do të shkojmë më mirë se çfarë ishim përpara COVID-it, edhe në aspektin e papunësisë, dhe në aspektet e tjera”, – tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.