Gjyqtarja e Apelit të Gjirokastrës, Miranda Andoni në sitën e Vetingut

TIRANË, 9 qershor /ATSH – I. Vata/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar sot një seancë dëgjimore me gjyqtaren e Apelit të Gjirokastrës, Miranda Andoni.

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përbëhej nga Pamela Qirko kryesuese, Firdes Shuli relatore dhe Olsi Komici anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm, Ferdinando Buatier.

Relatorja e çështjes, Firdes Shuli tha në fillim të seancës se rivlerësimi i gjyqtares Andoni është përfunduar në të tre kriteret: deklarimin e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Sipas raportit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), nuk janë evidentuar probleme në deklarimin e pasurive nga ana e gjyqtares Miranda Andoni, si edhe ka rezultuar të ketë pasur burime të ligjshme financiare për krijimin e tyre.

Gjyqtarja Miranda Andoni tha në fund të seancës se ishte dakord me gjithë procesin dhe se i ishin respektuar të gjithë të drejtat. “Vlerësoj se jam e përshtatshme të vazhdoj detyrën dhe kërkoj konfirmimin,” përfundoi gjyqtarja Miranda Andoni.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të shpallë vendimin më datë 12 qershor. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.