Gjiknuri: Ligji zgjedhor duhet të jetë i pranuar nga palët, mjafton të jetë bazë solide për zgjedhje të lira dhe të ndershme

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ – Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi sot se, “ligji zgjedhor është i vështirë se është ligj politik dhe shpesh konfrontohen interesat e palëve, por në vetvete është një ligj me rregulla loje që duhet të pranohen nga palët. Në momentin që pranohen nga palët edhe po s’ishte më perfekti mjafton që të jetë një bazë solide për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Për depolitizimin e administratës zgjedhore, Gjiknuri tha se, “67% e administratës në institucionet kryesore të vendit janë përpara 2013. Po të fusësh dhe armatën e mësuesve, 90%-91% e mësuesve janë para 2013. Pra pool-i potencial që do të shërbente si bazë ku do selektoheshin. Natyrisht skema qe e hapur dhe nga jashtë, por do një bazë se përndryshe po se bërë të detyrueshme, që administrata ta ndjejë si një tjetër detyrë qytetare dhe të trembet me vendin e punës nëse nuk respekton detyrimet ligjore për të menaxhuar zgjedhjet, dështon menaxhimi profesional”.

“Mjaftojnë këto dy shifra, pra përpara 2013 do të thotë që pjesa më e madhe e administratës ka qenë aty përpara se PS të vinte në pushtet, qe i garantuar suksesi me menaxhimin nëpërmjet zyrtarëve të përzgjedhur në mënyrë rastësore”, u shpreh Gjiknuri.

“Bllokimi i procesit nuk ka ndodhur më në Shqipëri sepse me ndryshimet e vitit 2012 u vendos që nëse një palë bojkoton komisionet zëvendësohen menjëherë me përfaqësues të emëruar nga KZAZ-ja, ose vazhdon votimi me 3 komisionerët e mbetur”, tha Gjiknuri.

Ndërsa, sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor apo edhe listave të hapura, Gjiknuri u shpreh se, listat e hapura kanë dy anë negative.

“Ne kemi thënë që do shprehemi të fundit. Nuk i takon mazhorancës që të imponojë sistemin. Listat e hapura kanë dy veti jashtëzakonisht negative: Elitat do t’i godasin. Mos kujtojnë njerëzit se do kenë njerëz më të mençur në parlament se ç’mund të jenë tani përtej relativitetit çfarë mund të quhet mençuri tani. Madje një katalog të listave të hapura e pamë tek PD-ja. Katalogun e plotë se ata do ishin kush më shumë e kush më pak ata do ishin”, tha Gjiknuri.

“E dyta, mund të ndodhë që personazhe me para edhe muskuj dhe influence të paligjshme mos të duket çudi të jenë fituesit. Dhe me një sistem të tille. Do ju kujtoj një gjë. E dini kur ka qenë lista e hapur në Shqipëri. Kujtoni këshillat bashkiakë kur kishin marrëveshje që ndaheshin me partitë e vogla, ose marrëveshjet që bënin partitë në vitin 2005”, tha Gjiknuri.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.