BRUKSEL – Stoltenberg përshëndet angazhimin ushtarak amerikan brenda NATO-s

BRUKSEL, 9 qershor /ATSH-AFP/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s përshëndeti rritjen e angazhimit ushtarak amerikan brenda Aleancës, por refuzoi çdo koment për një projekt në lidhje me reduktimin e forcave amerikane të vendosura në Gjermani.

“Nuk dëshiroj të komentoj rrjedhjet e informacioneve dhe spekulimet e medieve. Por, ajo që mund të thek është që ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me SHBA-në dhe aleatët e tjerë mbi pozicionet dhe praninë e forcave të tyre në Europë”, deklaroi Jens Stoltenberg  në një konferencë shtypi.

Norvegjezi njoftoi gjithashtu në Twitter se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump mbi domosdoshmërinë për të ruajtur forcën e NATO-s.

E përditshmja amerikane “The Wall Street Journal” kishte njoftuar më herë, duke cituar burime qeveritare anonime në Uashington, se presidenti amerikan, Trump kishte urdhëruar Pentagonin për reduktimin në 25 000 të ushtarëve amerikanë të vendosur në Gjermani.

Kreu i diplomacisë gjermane, Heiko Maas përmendi një goditje për marrëdhëniet gjermano-amerikane dhe një rrezik potencial për sigurinë.

“Gjatë viteve të fundit, kemi parë një rritje të mëtejshme të pranisë së SHBA-së në Europë. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me Gjermaninë”, theksoi Jens Stoltenberg.

“NATO është i vetmi vend që mbledh Europën dhe Amerikën e Veriut çdo ditë. Ajo që na duhet është vullneti politik për të përdorur NATO-n për të vendosur dhe nëse është e nevojshme, për të vepruar në favor të sigurisë sonë të përbashkët”, nënvizoi Stoltenberg./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.