Vazhdon puna për Unazën Bujqësore të Myzeqesë/ Lidh zonat bujqësore me tregjet

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Unaza Bujqësore e Myzeqesë është një ndër investimet e rëndësishme në rrugët rurale të viteve të fundit, pasi zgjidh përfundimisht problemin e infrastrukturës dhe lidhjes së fshatrave me akset kombëtare.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi deklaroi sot se “vazhdon puna për Unazën Bujqësore të Myzeqesë, investim i cili lidh zonat bujqësore jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe me tregjet e qyteteve”.

Konkretisht në segmentin përgjatë fshatit Qerret, deri më tani kanë përfunduar ura e re, muret rrethues dhe të gjitha nënshtresat me çakull. Ndërkohë po punohet në ndërtimin e tombinove dhe urave të vogla.

Zona është e njohur për hapësirën e gjerë të tokave të kultivuara me kultura të ndryshme bujqësore, si dhe për sipërfaqet e mëdha me serra.

Investimi i qeverisë shqiptare, që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe lidh fshatrat Bubullimë, Krutje dhe Fiershegan me akset kombëtare Lushnjë–Fier dhe Lushnjë–Berat.

Për banorët e këtyre zonave, Unaza e Myzeqesë përkthehet në mundësi, për të qenë më të konkurrueshëm në treg dhe pse jo, për të investuar më tej./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.