Siguria ushqimore e protokollet antiCOVID/ Lili: Mbi 14 mijë kontrolle tek operatorët e biznesit

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Autoritet Kombëtar të Ushqimit (AKU) Robert Lili, u shpreh se, sot AKU është në një stad më cilësor aktiviteti, falë masave që ka marrë qeveria për riorganizimin dhe bashkëpunimit me institucionet homologe të BE-së.

Gjatë një interviste televizive, Lili theksoi se, ekspertët e huaj europianë asistojnë për më shumë se një vit AKU dhe të gjithë kontrollin e zinxhirit ushqimor në vend, çka ka bërë që AKU dhe siguria ushqimore të jetë në një nivel shumë më të lartë nga ç’ka qenë një vit përpara.

“Gjatë 3 muajve të parë të vitit, kohë kur u përhap edhe pandemia, AKU ka qenë në terren për të garantuar sigurinë ushqimore dhe respektimin e masave kundër COVID-19. Mbi 14 mijë kontrolle dhe monitorime janë kryer në operatorët e biznesit, për respektimin e ligjit për sigurinë ushqimore dhe protokollet ndaj COVID-19”, – tha Lili.

Ai vuri në dukje se ka rritje të ndërgjegjësimit të operatorëve të biznesit për respektimin e sigurisë ushqimore në tregje. “Në këtë periudhë kemi pasur kërkesë nga vetë biznesi, për asgjësimin e produkteve ushqimore jashtë afateve për konsum”, tha Lili.

Gjithashtu shpjegoi ai, AKU po zbaton planin e kontrollit për mbetjen e pesticideve në produktet bujqësore, ku për këtë periudhë janë marrë 457 mostra nga të cilat vetëm 2 raste kanë dalë me ngarkesë pesticidesh dhe për këto, janë marrë masat administrative, është bllokuar ferma dhe po monitorohet situata.

“Kjo tregon se produktet bujqësore janë në standarde të larta cilësie dhe përveç tregjeve vendase eksportohen edhe jashtë me garanci të plotë”, – u shpreh kreu i AKU-së, ndërsa theksoi se puna po vijon në rritjen e ndërgjegjësimit të biznesit dhe tregtarëve për rëndësinë e zbatimit të ligjit për sigurinë ushqimore dhe protokolleve kundër COVID-19.

Lili tha se, “për periudhën 3-mujore janë vetëm 19 raste me gjobë dhe 79 raste të tjera janë paralajmërime, shifra këto shumë më të ulëta krahasur me vitin e kaluar, çka tregon për rritjen e sigurisë ushqimore në tregjet e vendit”.

e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.