Ndihma financiare mbajti në këmbë strukturat, Denaj: Solidarizim me bizneset e hoteleri-turizmit, të konsumojmë “Made in Albania”

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/565347831075515/?t=4

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në turin e komunikimeve të drejtpërdrejta u ndal në një nga bizneset e hoteleri-turizmit të mbështetur nga “Garancia Sovrane 1” e aprovuar për 32 punonjës, në Durrës.

Ministrja Denaj bisedoi me përfaqësuesit e biznesit se si ka qenë ai i mbështetur nga qeveria me instrumentat e deritanishme, qoftë nëpërmjet pagesave për pagat, ashtu edhe përmes fondeve të garancisë.

Sipas përfaqësuesve të biznesit, ishte një situatë e vështirë, por ndihma financiare e qeverisë për të paguar punonjësit ishte shumë e rëndësishme.

“Na dha një frymëmarrje prej tre muajsh, kjo ndihmoi që të mbajmë në këmbë strukturat. Me fondin e garancisë them se ia dolëm mbanë”, deklaroi përfaqësuesi i biznesit.

Po ashtu, ai bëri të ditur se të gjithë punonjësit e tij kanë përfituar “pagën e luftës”.

Ministrja Denaj apeloi të gjithë shqiptarët të solidarizohen për të mbështetur këtë sektor.

“Po flasim së fundi për atë që është turizmi patriotik. Dhe turizmi patriotik do të thotë se si shqiptarët në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë e më gjerë të shpenzojnë më shumë në restorantet e hotelet në vend, në atë që është “Made in Albania”. Si një nevojë për ta kthyer këtë moment në një moment solidariteti, është edhe një kërkese e gjithë bizneseve në këtë sektor, për të bërë një qasje solidariteti drejt këtij turizmi, i cili në shumë aspekte e ka rritur cilësinë e shërbimit dhe i duhet të provojë që ja del edhe në këto kushte të vështira”, u shpreh ministrja.

“Garancia Sovrane 1” vijon të ofrohet në çdo bankë të nivelit të dytë, për të gjithë sipërmarrësit.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.