Meta dekreton ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot shpalljen e ligjit nr. 61/2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar”.

Ky ligj ka reflektuar rekomandimet e dhëna nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, për realizimin e plotë të autonomisë së OST-së, thekson Presidenca.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kur prezantoi në seancë plenare ndryshimet në ligjin për energjinë elektrike, u shpreh se ato synojnë pavarësinë e institucioneve që shërbejnë për transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike.

“Çka synohet të arrihet është krijimi i një kornize të qëndrueshme rregullatore dhe tregu të aftë për të tërhequr investimin në prodhimin e energjisë dhe rrjetit elektrik të huaj e vendas, krijimin e një tregu të integruar të energjisë që lejon tregtinë ndërkufitare dhe integrimin me tregun e BE, garantimin e furnizimit të qëndrueshëm e vazhdueshëm të energjisë, thelbësor ky për zhvillimin ekonomik mbarëkombëtar, si dhe nxitjen e përdorimit të energjisë së rinovueshme dhe sigurisht eficiencën e kësaj energjie” u shpreh Balluku.
Sipas saj, ndryshimet në ligjin për energjinë elektrike shfuqizojnë disa dispozita ligjore që pengojnë arritjen e një autonomie të plotë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, si dhe ndarjen ligjore e funksionale të OSHEE-së, një proces që ka nisur nga 1 janari 2020 dhe janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore.
/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.