Masat ndaj COVID-19/Çerek milion shqiptarë u ndihmuan nga qeveria

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Nga paketat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 u është ardhur në ndihmë çerek milion shqiptarëve, ose gati 255 000 shqiptarëve, të cilët u goditën nga kjo fatkeqësi natyrore.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste televizive, mbrëmjen e së hënës, ka bërë me dije se nuk do ketë paketë të tretë të ndihmës ekonomike, teksa ka shtuar se 255 000 shqiptarë që u erdhën në ndihmë.

I pyetur se sa është numri i të papunëve si pasojë e COVID-19, Kryeministri tha se edhe SHBA kur ka bërë parashikime për papunësinë ka gabuar. “Tani qeveria nuk parashikon sa mendohet të jetë numri i të papunëve, qeveria i referohet shifrave, statistikave zyrtare. Natyrisht që ne kemi projeksionet tona, por këto projeksione mund të jenë shumë të pasakta, gjë që për shembull mbase e keni vënë re, ndodhi edhe në SHBA. Projeksioni i SHBA ishte x dhe për muajin që kaloi u rezultoi një shifër 2.5 milionë më shumë vende pune sesa çfarë ata kishin parashikuar. Nga 19% që prisnin, shkoi në 13,5%.

“Ne kemi pasur në periudhën deri në fillim të muajit maj, kur ishte piku, kemi pasur rreth 70 000 persona që kanë humbur vendin e punës. Por ju thashë është dinamike, shumë prej tyre janë rikthyer dhe duhet të shohim bilancet e fundit të majit për të dhënë një shifër të saktë”,- tha Rama më tej.

“Ne aktualisht kemi mbuluar sot që flasim afërsisht 230 mijë persona ose me pagën e luftës, ose me pagën direkte 400 mijë lekë të vjetra”, – tha Rama.

“Kemi edhe 4 500 subjektet ndaj të cilave do të merren masa, pasi nuk aplikuan për punonjësit e tyre dhe ne do t’i paguajmë direkt punonjësit për të cilët nuk janë bërë aplikime. Ne do të kemi në fund të dy paketave, çerek milion shqiptarë që janë mbështetur drejtëpërsëdrejti nga qeveria, rreth 255 mijë shqiptarë. Shifra është dinamike dhe ajo që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe fazash rihapje është që ka pasur shumë kthime në punë. Nga verifikimet e fundit, edhe pse punonjësit janë nxjerrë nga puna, kanë vijuar të paguhen nga kompanitë ose me rrogën e plotë ose me gjysmën”, – tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.