FRANKFURT, 8 qershor /ATSH-DPA/- Java e Modës gjermane, që deri më tani është zhvilluar në kryeqytetin e Berlinit, do të organizohet në Frankfurt vitin e ardhshëm, njoftoi sot organizatori i eventit, “Premium Group”.
“Kjo do të shndërrojë qendrën financiare të Frankfurtit në një pikë të rëndësishme të re për skenën ndërkombëtare të modës dhe stilit të jetesës dhe do të krijojë një metropol të ri të modës ndërkombëtare”, tha kryebashkiaku i qytetit, Peter Feldmann.
Ky vendim ka shkaktuar njëfarë habie, duke qenë se qyteti nuk është shumë i njohur për skenën e tij të modës.
“Premium Group” e njoftoi ndryshimin e qytetit duke e quajtur këtë të fundit si një “zbulim të papritur” në këtë fushë.
“Java e Modës dhe formati për Javën e Modës do të duhet të rishikohet. Ju mund të mos e shihni menjëherë Frankfurtin si një vend të përshtatshëm, por është vendi i përsosur”, tha menaxherja e Premium Group, Anita Tillmann.
Sipas organizatorve, plani është që Java e Modës në Frankfurt të bëhet më inovative, dixhitale dhe e qëndrueshme./ /ervo/
