Basha uron maturantët nga Elbasani: Sfida jonë t’ju japim një të ardhme sa më të sigurt

TIRANË, 8 qershor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka uruar sot nga Elbasani maturantët.

Në urimin e tij Basha shprehet se sfida juaj është të dilni sa më mirë, sfida jonë është t’ju sigurojmë një të ardhme sa më të sigurt.

“Sot dua t’u uroj të gjithë maturantëve suksese në provimet që kanë nisur pak minuta më parë nga qyteti i Normales, nga zemra e Shqipërisë, nga Elbasani, qytet në të cilin kam patur nderin t’i përfaqësoj për disa vite në parlamentin e Shqipërisë. Sot ndodhem prapë në mesin e elbasanllinjve, këtij qyteti me tradita të jashtëzakonshme të qytetarisë. Por mbi të gjitha me një vend të veçantë në historinë e arsimit shqiptar, Elbasani i Pedagogjikes, Elbasani i Normales, Elbasani i intelektualëve që kanë dhënë kaq shumë për arsimin dhe për breza të tërë mësuesish anembanë vendit. Ndaj është edhe vendi më i përshtatshëm për t’iu uruar dhjetëra mijëra maturantëve suksese në provimet e maturës! Sfida juaj është të dilni sa më mirë në këtë provime”, shprehet ai.

Po ashtu Basha shtoin se “sfida jonë është t’ju sigurojmë një të ardhme sa më të sigurt në karrierën tuaj të mëtejshme si studentë në universitete dhe t’ju sigurojmë një ekonomi që të punojë për ju dhe që t’ju japë vende pune e sa më shumë kënaqësi dhe shanse për të ardhmen për ju dhe sa më pak stres dhe mundime për prindërit tuaj.Ju përshëndes dhe ju uroj shumë suksese nga Elbasani i Normales, sot ditën e provimeve të Maturës, të gjithë maturantëve shqiptarë”. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.