Ndahet nga jeta mjeku i njohur i Ortopedisë, Panajot Boga

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Ortopedi i njohur Panajot Boga është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.

Panajot Boga ishte novator dhe akademik ne fushën e ortopedisë ku ka botuar 5 libra dhe qindra artikuj shkencorë. Në vitin 2012 kur shërbimi i Ortopedisë mori emrin e tij, ai premtoi se nuk do t’i ndalë operacionet edhe kur të shkojë 80 vjeç.

Shërbimi i Ortopedisë në Spitalin e Traumës ka emrin e tij, në nder të kontributit që mjeku ka dhënë për këtë spital dhe mjekësinë shqiptare në tërësi.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të profesor Bogës. “Me shumë trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Profesorit të nderuar dhe mjekut të shquar të Ortopedisë shqiptare, Panajot Boga. Mjekësia shqiptare humbi mjekun novator e të palodhur, por edhe drejtuesin energjik dhe aplikuesin vizionar të shkencës progresive në fushën e Ortopedisë, i cili la pas një trashëgimi të vyer e model frymëzimi për brezat e rinj të mjekëve. Ngushëllime të sinqerta familjes së dashur Boga, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë komunitetit të mjekëve. I përjetshëm kujtimi i Profesor Bogës!”.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjekut ortoped Panajot Boga të cilin e cilëson si të ditur dhe duarartë.

Ai shprehet se Boga është emblema e ortopedisë shqiptare dhe një mjek që do të jetojë në mirënjohjen e të gjithëve.

“Me trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit të shquar të mjekësisë, ortopedit të njohur, mikut tim të hershëm dhe të çmuar Panajot Boga. Profesor Boga është një ndër themeluesit e shërbimit mjekësor shqiptar, krijues dhe drejtues jetëgjatë i shërbimit të ortopedisë, profesor i dhjetra brezave të studentëve, një sintezë e vlerave më të mira të personalitetit dhe njeriut të dashur, mjekut të ditur, duarartë, të përkushtuar e  të palodhur, që shërbeu deri në ditët e fundit të jetë me profesionalizëm dhe humanizëm të pashoq. Profesor Panajot Boga do të jetojë në kujtesën dhe mirënjohjen e mijëra studentëve, dhjetra-mijëra pacientëve dhe të gjithë shqiptarëve, të cilëve u shërbeu me bisturinë, kurajon dhe fjalën e ëmbël. Lamtumirë, Profesor Panajot Boga!”,- shprehet Ruçi.

Edhe rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata është shprehur se Panajot Boga, “do mbetet mes nesh profesionisti shembullor me gjithçka na le trashëgimi”.

“Lamtumirë Profesor! Sa trishtim lamtumira ndaj Kollosëve te Kirurgjisë dhe Mjekësisë Shqiptare! Do na mungoje energjia e pashuar, dashamirësia e pamasë, profesionalizmi pa cak! Do na mungosh njeriu Panajot Boga, por do mbetet mes nesh profesionisti shembullor me gjithçka na lë trashëgim! Përveç fëmije të tu biologjike, ke rritur shume djem e vajza Profesor, prandaj do mbetesh i paharruar! Te qofte e blertë lëndina! Ps: homazhet bëhen nesër, 8 Qershor, nga ora 10-13 pranë ambienteve të Fakultetit të Mjekësisë”, shprehet  Gjata.

Edhe ish-ministri i shëndetësisë, Tritan Shehu, thotë se sot është një ditë zie për mjekësinë e veçanërisht ortopedinë shqiptare.

“Lamtumire Prof. Dr. Panajot Boga! Sot është një ditë zie për mjekësinë e veçanërisht për ortopedinë shqiptare, që humbi mjekun e talentuar e novator, profesorin tonë, organizatorin energjik e të kudo gjendur, drejtuesin jetë gjatë të shërbimit të ortopedisë, aplikuesin e guximshëm e vizionar të shkencës e progresives në atë fushë kaq të gjerë të mjekësisë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, kolegëve, bashkëpunëtoreve të rinj e të dikurshëm, miqve, të gjithëve, për këtë humbje te madhe”shprehet Shehu.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.