30 të prekur me COVID-19 po marrin trajtim në spitalin Infektiv, 6 janë në terapi intensive, 2 të intubuar

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se vijon të ketë shtrime të reja me COVID-19 dhe rritje te rasteve në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 30 të prekur, nga të cilët 6 janë në terapi intensive, 2 prej tyre jane të intubuar.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 13 qytetarë, duke e çuar në 938 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 274 persona aktivë me COVID-19, rreth 70% e të cilëve janë në Tiranë.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 18 mijë testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1246 raste. Në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT janë kryer 2035 testime serologjike në personel shëndetësor, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 7 %”, -u shpreh Genta Qirjako, eksperte pranë ISHP.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ftuar qytetarët të tregohen të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin dhe ruajtjen e higjienës vetjake.

“Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19”, apelon ministria. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.