Opozita parlamentare takim me ambasadorët Kim dhe Soreca/ Murrizi: Kërkojmë administratë zgjedhore jo politike, lista të hapura dhe votën e emigrantëve

TIRANË, 6 qershor /ATSH – I. Vata/- Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim dhe Ambasadori i Delegacionit të BE-së Luigi Soreca, zhvilluan sot një takim më opozitën parlamentare në rezidencën amerikane, pas marrëveshjes së arritur mbrëmë nga Këshilli Politik për reformën zgjedhore.

Pas takimit, kreu i grupit demokrat në parlament, Myslim Murrizi deklaroi për mediet se vota e tyre në Kuvend do të jetë kundër kësaj marrëveshje, pasi nuk janë plotësuar tre kushtet e tyre.

Ai tha se “ishte një takim miqësor ku në emër të tre grupeve shprehëm qartë votën tonë kundër të pazarit të atyre që kanë marrë peng zgjedhjet prej 25 vitesh në Shqipëri. U thamë se nuk votojmë asnjë lloj pazari. Qëndrimi ynë është i palëkundur, nuk kërkojmë asgjë veç asaj që kemi kërkuar, administratë zgjedhore jo politike, lista të hapura dhe votën e emigrantëve”.

Murrizi tha se “nuk i lamë hapësirë kërkesave të Ambasadores së SHBA-së. Ne kishim shkuar të shprehim qëndrimin tonë të pa lëkundur të firmave të 39 deputetëve të opozitës. Nuk votojmë asgjë në parlament jashtë asaj që kemi kërkuar prej 15  muaj në atë parlament. Administratë zgjedhore, lista të hapura, votë emigrantësh”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.